Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com
Ambasadori gjerman: Kurti nuk u bind të bëjë kompromis për CEFTA-n
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se emisari gjerman për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka ardhur në Kosovë për ta nxitur kryeministrin Albin Kurti të bëjë kompromis për CEFTA-n, por kjo, sipas tij, s’ka pasur sukses.
Përmes rrjetit social “X”, Rhode është shprehur se nëse është e nevojshme, shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë pa Kosovën në marrëveshjen e BE-së, për të vazhduar më bashkëpunimin rajonal dhe Procesin e Berlinit.
“Manuel Sarrazin vizitoi Kosovën sërish për të nxitur Albin Kurtin që të bëjë kompromis për CEFTA-n, duke mundësuar liritë kryesore për qytetarët e Kosovës, duke zëvendësuar UNMIK-un me Kosovën në bord, pa sukses. Nëse është e nevojshme, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë pa Kosovën, për momentin, për të ecur përpara me bashkëpunimin rajonal dhe Procesin e Berlinit”- ka shkruar ambasadori gjerman në Kosovë sot më 05.09.2024.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me përfaqësuesin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, të shoqëruar nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim u bisedua për progresin në zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit në Procesin e Berlinit, bashkëpunimin rajonal dhe pritjet nga samiti i radhës që në 10-vjetorin e tij do të mbahet në Berlin.
CEFTA është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Europian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kosova është anëtare e këtij mekanizimi që nga viti 2007.