Ambasadori gjerman kërkon zgjidhje të situatës në veri përmes dialogut

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet në veri të vendit dhe të takohen në Bruksel sa më shpejt.

“Situata në Veri ka nevojë të shtensionohet. Unë i bëj thirrje të dyja palëve që të flasin me njëri -tjetrin dhe jo për njëra -tjetrën. Mënyra më e mirë përpara: Takohuni në Bruksel për të gjetur një rrugëdalje sa më shpejt të jetë e mundur”, ka shkruar ai në Twitter.

Për të shtatën ditë me radhë, dy rrugë që lidhin Kosovën dhe Serbinë janë të bllokuara nga serbët lokalë, të cilët po kundërshtojnë masën e reciprocitetit për targat.

Që prej 20 shtatorit, të gjitha automjetet nga Serbia që hyjnë në Kosovë, duhet të largojnë targat dhe të përdorin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ka pranuar që të bisedojë në Bruksel në lidhje me këtë çështje, por sipas tij, pala serbe ka refuzuar.

Kurti thotë se Serbia refuzoi të bisedoj për situatën në veri, meqë s’do fqinjësi të mirë

.