Ambasadori gjerman: Hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar rrezikojnë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE

Sikurse Bashkimi Europian edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka kritikuar vendimin për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës nga autoritetet e Kosovës.

“Hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar jo vetëm që bien ndesh me marrëveshjet e dialogut, por – edhe më keq – rrezikojnë që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE të mbetet i ngecur në kuti” – ka shkruar Rohde në rrjetin social X (ish-Twitter) më 06.08.2024.

Rohde ka shtuar se Bashkimi Europian lulëzon duke marrë me vete të gjithë anëtarët dhe komunitetet e tyre dhe se kanë nevojë për një qasje të tillë edhe në nivel kombëtar.

Bashkimi Europian ka reaguar më 05.08.2024 duke thënë se ky veprim i autoriteteve kosovare është i njëanshëm dhe i pakoordinuar, e që shkel marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogu Kosovë-Serbi.

BE i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE-ja.

Bashkimi Europian është shprehur e gatshme ta përfshijë këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të dialogut dhe pret që palët të zhvillojnë ide konstruktive që mund të shërbejnë si bazë për zgjidhje.

Ndër të tjera, BE ka shkruar se si pjesë e Marrëveshjes në lidhje me Telekomunikacionin e arritur në vitin 2013 dhe Planit të Veprimit të rënë dakord më 2015, të dyja palët ranë dakord të diskutojnë shërbimet postare “në një fazë të mëvonshme”, duke pranuar kështu se çështja mund të trajtohet vetëm brenda kornizës së dialogut.

“Këtë e ka pranuar sërish sot Autoriteti Rregullativ i Shërbimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës”- shkruan në reagim.

Nëntë objektet ku vepronte Posta e Serbisë në veri të Kosovës janë mbyllur më 05.08.2024.

Këto posta, sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, vepronin në mënyrë ilegale në katër komunat e veriut të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Lajmi për mbylljen e postave është konfirmuar për KALLXO.com nga zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicë Veriu, Veton Elshani.

Policia tha se ky aksion bazohet në informacionet zyrtare të institucioneve të Kosovës, siç është ARKEP, mbi dyshimin se janë duke operuar posta ilegale, të paregjistruara dhe pa licencë të institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës.