Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Ambasadori gjerman: Dhuna e djeshme ndaj zyreve zgjedhore komunale është e papranueshme

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar në lidhje me incidentet që kanë ndodhur dje në veri të vendit, ku u dëmtuan zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriu.

Ai thotë se dhunë e djeshme ndaj zyrave zgjedhore komunale është e papranueshme duke shtuar se mbështetë demonsnstratat paqësore.

“Vërtet shumë shqetësuese. Dhuna e djeshme ndaj zyrave zgjedhore komunale është e papranueshme. Mirë që PK-ja në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in është prezente. Mbështetje e plotë për demonstratat paqësore, por zero tolerancë ndaj dhunës”- shkruan Rohde në twitter.

Policia e Kosovës dje ka njoftuar se dje pasdite, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës së Veriut janë regjistruar disa incidente dhe dyshohet shkrepje armësh e shpërthime.

Për disa ditë me radhë, gjatë kohës kur pritej të vendoseshin zyrtarët e lartë komunalë për të zëvendësuar të dorëhequrit, KQZ ka kërkuar mbështetjen e Policisë së Kosovës.

Siç ka mësuar KALLXO.com, në momentet kur është tentuar zëvendësimi i zyrtarëve të lartë, është lëshuar edhe alarmi në pjesën veriore të Kosovës.

Dje pasdite janë dëgjuar disa shpërthime në veri.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në veri do të ketë ndjekje të kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj.

Ndërsa presidentja Vjosa Osmani ka thënë se situata në veri të Kosovës eskalon për shkak të bandave kriminale që përkrahen politikisht e financiarisht nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

 

Shpërthime të reja në Mitrovicën e Veriut