Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Ambasadori gjerman: Absurde të përshkallëzohet situata si pasojë e targave

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar në lidhje me shtyrjen për 48 orë të fillimit të shqiptimit të gjobave për pronarët e automjeteve me targa ilegale.

Rohde ka deklaruar se është absurde që të rrezikohet përshkallëzimi i situatës për shkak të targave.

Ai ka thënë se tani kanë më shumë kohë për të punuar me palët e interesuara për gjetjen e zgjidhjes duke shtuar se ka më tepër nevojë për burrështetas.

“Mirë që tashmë i dërguari special i BE-së Miroslav Lajçak, ka më tepër kohë për të punuar me palët e interesuar për gjetjen e zgjidhjes. E përsëris, është absurde të rrezikohet përshkallëzimi për targa. Ne kemi nevojë për më shumë burrështetas, e më pak situata që çojnë në konfrontim” – shkruan Rohde.

Takimi i djeshëm mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel rezultoi pa marrëveshje për çështjen e targave.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës ta shtyjë për 48 orë fillimin e shqiptimit të gjobave, kërkesë të së cilës kryeministri, Albin Kurti iu përgjigj pozitivisht.