Foto:Olivier Guerot, Twitter

Ambasadori francez në Kosovë: I bëjmë thirrje veçanërisht Kosovës të pranojë propozimin e BE-së për targat

Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të pranojnë propozimin për kompromis në çështjen e targave ilegale serbe, të formuluar nga Bashkimi Evropian.

Ai tutje ka shkruar se thirrja vlen veçanërisht për Kosovën.

“Franca i bashkohet thirrjeve të Bashkimit Evropian për të shmangur çdo veprim të njëanshëm që mund të nxisë tensionet. Ai u kërkon të dyja palëve, dhe në veçanti Kosovës, të pranojnë propozimin e kompromisit të formuluar nga Bashkimi Evropian” – ka shkruar ai në Twitter.

Tutje, Guerot ka thënë se Franca mbështet ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Franca mbështet plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, që duhet të mundësojë përparimin drejt marrëveshjes ligjërisht obliguese mes Kosovës dhe Serbisë dhe që të dyja shtetet të lëvizin drejt perspektivës evropiane” – ka thënë ai.

Po ashtu, ambasaori Guerot ka kërkuar që palët të diskutojnë edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Franca nxit palët që të vazhdojnë diskutimet në ditët në vijim në frymën e kompromisit dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura tashmë, duke përfshirë dispozitat që kanë të bëjnë me Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe” – ka shkruar tutje ambasadori fracez.

Ky reagim i ambasadorit francez në Kosovë, vjen një ditë pas takimit trepalësh në Bruksel i cili përfundoi pa marrëveshje për çështjen e targave.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka thënë dje se BE ka dhënë një propozim i cili është refuzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në anën tjetër, Kurti pas takimit trepalësh në Bruksel ka thënë se  Borrell ka hequr dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Pak pas mesnatës së 22 nëntorit, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë për 48 orë fillimin e shqiptimit të gjobave për qytetarët që përdorin targa ilegale të automjeteve, si fazë e dytë e vendimit qeveritar për këtë çështje.

Pak minuta më vonë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se e pranon kërkesën e SHBA-ve për shtyrje për 48 orë të vendimit për shqiptim të gjobave.