Ambasadori çek në Kosovë: Shtetet anëtare të BE-së s’e kanë vënë në pikëpyetje liberalizimin e vizave

Ambasadori i Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek ka thënë se nga takimi i grupit punues për liberalizimin e vizave i Këshillit të BE-së më 13 tetor, duhet parë ana pozitive.

Sipas tij, diskutimet për këtë çështje do të vazhdojnë, duke shtuar se shtetet anëtare të BE-së, nuk e kanë vënë në pikëpyetje liberalizimin e vizave për Kosovën.

Këtë deklaratë ai e dha në takimin e sotëm të Komisionit për Integrime Evropiane me temën “Agjenda Evropiane 2022”, pasi u pyet nga deputeti i LVV-së, Besim Muzaqi, lidhur me ndërlidhjen mes kërkesës së re në lidhje me sistemin ETIAS, me liberalizim e vizave për Kosovën.

Ambasadori Bilek tha se presidenca çeke ka qenë e suksesshme në bisedat për këtë çështje.

“Ta shohim anën pozitive të kësaj. Kjo nënkupton që diskutimi do të vazhdojë. Shtetet nuk e kanë vënë në pikëpyetje liberalizimin e vizave”- tha ai.

Ai tha se nuk është personi kyç për të folur për detaje, ose të flas për pozicionet që i kanë marrë shtetet anëtare.

“Nuk mund tju jap përgjigjje në këtë pyetje se nuk është detyra ime të flasë për pozicionin e shteteve anëtare. Çështja pozitive është që shtetet anëtare do të vazhdojnë me diskutime deri më 31 tetor është afati për të marr imputet nga shtetet anëtare”- shtoi ai.

Të enjten për herë të parë grupi punues për vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian diskutoi për liberalizimin e vizave për Kosovën, nga e cila u përmendën disa kërkesa të reja deri në heqjen e regjimit të vizave për kosovarët.

Deri tek kjo mbledhje kishte ardhur pas letrës të cilën presidenca çeke e BE-së ia kishte dërguar vendeve anëtare për të diskutuar për këtë temë.

Ndonëse e gjithë mbledhja u zhvillua pa prezencën e mediave, më vonë Radio Evropa e Lirë raportoi se vendet anëtare kanë qenë pro liberalizimit të vizave për Kosovën, por Franca “e ka kushtëzuar” procesin duke kërkuar që liberalizimi i vizave të lidhet me funksionalizimin e sistemit ETIAS.

Ky propozim sipas raportimit, është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Infografika: KALLXO.com

Çfarë po ndodh me vizat për Kosovën?