Foto: Levizja Vetvendosje, Facebook

Ambasadori britanik viziton Kurtin, i uron fitoren

Lëvizja Vetëvendosje gjatë ditës së sotme ka pritur në takim ambasadorin britanik, Nicholas Abbot.

Ambasadori dhe kryesuesi i Departamentit Politik në Ambasadën Britanike, Samuel Paice, janë pritur nga kryetari i VV-së  Albin Kurti si dhe anëtarja e kryesisë, Fitore Pacolli.

Me këtë rast ambasadori Abbot e ka uruar Kurtin për fitoren në zgjedhje si dhe i ka siguruar atij se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të përkrahë Republikën e Kosovës.

“Nicholas Abbott e uroi Kryetarin Kurti për suksesin zgjedhor. Ai tha se Mbretëria e Bashkuar do ta vazhdojë përkrahjen për Republikën e Kosovës. Përveç luftimit te korrupsionit, nevojitet edhe përqendrimi i mëtejshem edhe në krijimin e kushteve të reja për investime dhe mundësi për të rinjtë në vend” thuhet në njoftimin e VV-së në Facebook.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se Kurti ka siguruar ambasadorin britanik se prioritet i qeverisë së re do të jetë forcimi i shtetit.

“Kryetari Kurti e njoftoi ambasadorin se prioritet i qeverisë së re do të jetë zvogëlimi i pushtetit për forcim të shtetit, drejtësia institucionale e ligjore dhe zhvillimi ekonomik e punësimi”, thuhet tutje në njoftim.

Kurti dhe Abbot kanë diskutuar edhe për procesin zgjedhorë të 6 tetorit si dhe fillimin e dialogut me serbët lokal.

“Sa i përket procesit zgjedhor, ai tha se nevojitet adresimi i parregullsive dhe shkeljeve që e përcollën atë në komunat me shumicë serbe si dhe fillimi i dialogut nga poshtë me serbët lokal që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.