Jonathan Hargreaves, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë. Foto nga profili i tij në Facebook.

Ambasadori britanik vëzhgon procesin zgjedhor në dy komuna në veri të Kosovës

Jonathan Hargreaves, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë ka kaluar mëngjesin në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut për të parë për së afërmi procesin zgjedhor.

Përmes një video-inçizimi, ai bëri të ditur se gjatë ditës do të vazhdojë edhe nëpër qytete tjera të Kosovës.

“Është madhështore që Ambasada britanike ka gjashtë ekipe nëpër Kosovë si pjesë e ekipeve ndërkombëtare që janë duke vëzhguar këto zgjedhje”- tha ai.

Hargreaves inkurajoi qytetarët e Kosovës të dalin të shfrytëzojnë të drejtën e votës.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do mbyllen në ora 19:00.

Të dhënat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë për 1 milion e 970 mijë e 944 votues me të drejtë vote.

Në të gjithë territorin e vendit do të hapen 903 Qendra të Votimit, me gjithsej 2 mijë e 533 vendvotime.

Në këto Zgjedhje të gjithë ata që do të votojnë me kusht kanë mundësi të votojnë vetëm në një Qendër Votimi, në një Komunë. Sipas KQZ-së do të jenë 38 Qendra Votimi me kusht, me gjithsej 58 vendvotime.

Ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1280 kandidatë.

Procesi i votimit në Kosovë do të monitorohet nga një numër i konsiderueshëm i vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, media vendore e ndërkombëtare dhe përfaqësues të trupave zgjedhore nga vendet e tjera.

Zgjedhjet e sivjetme parlamentare në Kosovë do të sjellin një risi sa i përket vëzhgimit të procesit të votimit, pasi që, për herë të parë, në qendra votimi do të ketë edhe kamera mbikëqyrëse.

KQZ -ja ka akredituar 1680 vëzhguesve për vëzhgimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.