
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves në takim me kryetarin e KQZ-së Kreshnik Radoniqi.
Ambasadori britanik takohet me Radoniqin, flasin për procesin zgjedhor
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka përgëzuar kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqin për mbarëvajtjen e Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.
Hargreaves tha se e ka përgëzuar edhe, siç është shprehur ai “për përpjekjet e Komisionit për të siguruar që proceset e mbetura të kryhen shpejt dhe në mënyrë transparente”.
Kështu ka njoftuar ai përmes një postimi në Facebook, më 18.02.2025.
Sipas përditësimit të fundit të bërë më 12.02.2025, në ora 22:12 të KQZ-së, janë numëruar 99.72% e votave për subjektet politike që morën pjesë në Zgjedhje.
Nga rezultatet aktuale preliminare që ka nxjerrë KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84%, Partia Demokratike e Kosovës 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.67%, Koalicioni AAK-NISMA 7.45%, Lista Serbe 4.55%, Koalicioni për Familjen 2.26%.
Me 99% të votave të numëruara nga Zgjedhjet e 9 shkurtit, Lista Serbe, partia më e madhe serbe në Kosovë, e cila gëzon mbështetje absolute nga Beogradi zyrtar, siguroi 36.784 vota, ose 4.43%.
Ndërsa, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit i mori rreth 3.861 vota, ose 0.46%.
Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.
Ndërkohë që nëpër Komuna të Kosovës po bëhet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, në disa raste procesi është përcjellë me telashe teknike që nga dita e Zgjedhjeve, më 09.02.2025, kur pak orë pas mbylljes së vendvotimeve KQZ-ja ka pasur probleme me platformën në procesimin e rezultateve.
Për këto zhvillime, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, gjatë një takimi me presidenten Vjosa Osmani, më 13.02.2025, tha se janë në pritje të një Raporti përfundimtar nga institucionet e sigurisë. KQZ ka njoftuar se i gjithë angazhimi i institucionit është i përqendruar në shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë për Zgjedhjet e 9 shkurtit.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.