
Foto: Jonathan Hargreaves, Facebook
Ambasadori britanik takohet me Kurtin, flasin për fushatën zgjedhore
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves po vazhdon takimet me liderët e partive politike në Kosovë, në prag të Zgjedhjeve parlamentare të cilat do të mbahen më 09.02.2025.
Hargreaves ka njoftuar se sot më 29.01.2025 është takuar me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kandidat i kësaj partie për Kryeministër.
Ai ka thënë se me Kurtin diskutuan për fushatën zgjedhore.
“Ambasada Britanike po vazhdon takimet me liderët e partive politike, në prag të Zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë. Sot ishte mirë të flisja me liderin e Vetëvendosjes, kryeministrin Albin Kurti dhe Besnik Bislimin. Diskutuam fushatën zgjedhore dhe rëndësinë e institucioneve të fuqishme, të pavarura të Kosovës.” – ka njoftuar ai.
Më 22.01.2025, ambasadori britanik ka zhvilluar takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Në këto ditë fushate, Abdixhiku e ka njoftuar Ambasadorin për rrjedhën e tubimeve elektorale.
Sipas njoftimit, ai tha se u zotua që pas 9 shkurtit me Qeverinë e re të LDK-së, Kosova do të rikuperojë pozicionin e saj ndërkombëtar dhe do të avancojë interesat strategjike.
Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.
Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.
Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban, që nga shpallja e Pavarësisë më 2008 – duke ftuar qytetarët për mobilizim masiv për të arritur numrin rekord të daljes së grave dhe vajzave në votime.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë Zgjedhjet e gjashta me radhë që do mbahen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.