Ambasadori britanik, takim me Vjosa Osmanin për bashkëqeverisjen me VV

Kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, është takuar me ambasadorin e Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, i shoqëruar një zyrtar i lartë politik, Sam Paice.

Në këtë takim prezent ishin edhe anëtarët e kryesisë së LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe Besian Mustafa.

Sipas një njoftim, Osmani e njoftoi ambasadorin për vazhdimin e takimeve të grupeve punuese të LDK-së me ato të LVV-së për përafrimin e programeve të të dy partive.

“Dr. Osmani e njoftoi z. Abbott për vazhdimin e takimeve të grupeve punuese të LDK-së me ato të LVV-së për përafrimin e programeve të të dy partive drejt një programi të përbashkët qeverisës, dhe prioritetet e qeverisë së ardhshme, për rendin dhe ligjin, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, arsimin, shëndetësinë dhe zhvillimin ekonomik”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Gjithashtu, thuhet se ajo falënderoi Britaninë e Madhe për programet përkrahëse në Kosovë dhe kërkoi vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në të ardhmen.

Ndërkaq, ambasadori Abbott shprehu interesimin për përkrahjen e proceseve të Kosovës.