Ambasadori britanik: Pritja për kombëtaren angleze ishte më e mira në botë

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott e ka vlerësuar pritjen e tifozëve të Kosovës për kombëtaren angleze, si më të mirën në botë.

“Vikendi kur është mbajtur ndeshja e futbollit në mes Kosovës dhe Anglisë në nëntor, do të jetë përgjithmonë një kujtim i veçantë për mua. Ngrohtësia e mikpritjes për tifozët Anglezë ishte më e mira që ata kanë pranuar kudo në botë, dhe unë ende ndihem shumë i privilegjuar që kam pasur mundësinë t’a përjetoj si Ambasador Britanik këtu. Pavarësisht rezultatit të lojës, kjo ngjarje ka ripërtërirë afërsinë në mes dy vendeve tona”, ka shkruar Abbott në Facebook.

Përveç kësaj, Abbott ka radhitur edhe përshtypjet e tjera që ka marrë në Kosovë, që kur është emëruar ambasador.

Abbott ka thënë se Kosova është një vend me plotë jetë, i ri dhe me shumë potencial.

“Jam shumë falenderues për mikpritjen e ngrohtë që une dhe familja ime kemi pranuar këtu”, ka shtuar Abbott.

Ambasadori britanik në Kosovë ka thënë se pjesëtarët e FSK-së përfaqësojnë më të mirët e Kosovës.

“Profesionistë, të aftë dhe nga të gjitha komunitetet. Pjesëtarët e FSK-së kanë qenë ndër të parët që kanë ndihmuar ata në nevojë për shpëtim dhe asistencë pas termetit në Shqipëri muajin e kaluar. Aftësia dhe guximi i tyre është vlerësuar me të drejtë”, ka potencuar Abbott.

Ai ka thënë se do të vazhdojnë ta përkrahin FSK-në me asistencë dhe trajnime edhe në vitin 2020.

Abbott ka përmendur edhe vizitën e muajit tetor të LSM Sophie, Konteshës së Wessex. Në këtë vizitë ajo u takua me të mbijetuarit e dhunës seksuale në konflikt, duke theksuar rëndësinë e kësaj çështje.

“Në javët e kaluara ne kemi dëgjuar për raste të dhimbshme të stigmës që po vazhdon të ndikojë te viktimat e pafajshme, edhe brenda familjeve të tyre. Është koha që të gjithë ne t’a ngrisim zërin për të drejtat dhe dinjitetin e viktimave të këtyre krimeve të tmerrshme, të ju ofrojmë përkrahje, solidaritet dhe t’i pranojmë ata”, ka vazhduar Abbott.

Ambasadori britanik në Kosovë ka uruar gëzime dhe prosperitet për Vitin e Ri 2020.