Nicholas Abbott

Ambasadori britanik për vendimin e Kushtetueses: Dikush mund të gëzohet, dikush mund të zemërohet

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbot ka shkruar në Twitter se kjo javë është e rëndësishme për Kosovën pasi pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Abbot ka kërkuar që vendimi i Kushtetuese të respektohet nga të gjithë pa marrë parasysh cili do të jetë ai vendim.

Sipas tij, ky vendim është i rëndësishëm për situatën politike në Kosovë pas mocionit të mosbesimit në Kuvend, ku u rrëzua Qeveria Kurti.

Abbot ka thënë tutje se ky vendim mund të mos ju pëlqejë të gjithëve për shkak se do të çojë ose në qeveri të re ose në zgjedhje të reja, por do të jetë i rëndësishëm për interesat e Kosovës dhe një ndryshim i tillë të ndodhë në mënyrë paqësore.

“Kjo është një javë e rëndësishme për Kosovën. Ne presim të dëgjojmë nga Gjykata Kushtetuese për hapat e ardhshëm në procesin politik pas votimit të mosbesimit në Kuvend. Është e rëndësishme që vendimi i tyre të respektohet nga të gjithë. Cilado qoftë vendimi, ai do të çojë në ndryshime që mund të jenë në zgjedhje të reja ose për një qeveri të re. Disa njerëz do të jenë të kënaqur, të tjerët do të zhgënjehen, disa mund të jenë të kënaqur, të tjerët mund të jenë të zemëruar. Sido që të jetë reagimi, është për interesat e mira të Kosovës, si një demokraci e re parlamentare, që një ndryshim i tillë të ndodhë në mënyrë paqësore dhe me qetësi, pa retorikë politike të ekzagjeruar dhe pa kërcënim dhune. Të gjithë liderët politikë, në institucionet shtetërore ose partitë politike, duhet të veprojnë për të siguruar që stabiliteti dhe siguria politike e Kosovës, si dhe qëndrimi i saj ndërkombëtar, nuk janë minuar”, ka shkruar Abbot.