
Foto: Ambasadori britanik në Kosovë Jonathan Hargreaves.
Ambasadori britanik ngushëllon në shqip për vdekjen e Bajram Qerkinit
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, në emër të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e Bajram Qerkinit.
Hargreaves e ka shkruar postimin në gjuhën shqipe, e pastaj me përkthim në atë angleze dhe serbe – duke ia bashkangjitur dy fotografi ku shihet i ndjeri Qerkini gjatë takimit me Mbretin Charles III.
“Jam thellësisht i pikëlluar për ndarjen nga jeta të Bacës Bajram Qerkinaj. Kërkimi i tij i palodhshëm për të vërtetën, jo vetëm për familjen e tij, por edhe për mijëra familje të cilat ende kanë të dashurit e tyre të pagjetur, ishte vërtet frymëzues.”- ka shkruar ai në Facebook, më 24.02.2025.
Ai ka shtuar se marrëdhëniet në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Bacës Bajram kanë qenë gjithmonë të forta – duke përfshirë edhe mbështetjen e drejtpërdrejtë nga Madhëria e Tij Mbreti Charles III.
“Në emër të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, dëshiroj t’i shprehë ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen dhe miqtë e Bacës Bajram dhe të gjithë ata të cilët kanë pasur fatin të punojnë drejtpërdrejtë me të.” – shkruan ai.
Ngushëllimi i tij është përmbyllur me fjalinë se veprimtaria e Bajram Qerkinit do të vazhdojë, derisa “ne do të vazhdojmë të punojmë për të gjetur të vërtetën”.
Kryetari i Qendrës Burimore për Personat e Pagjetur, Bajram Qerkini ka vdekur mëngjesin e sotëm, më 24.02.2025 – kanë njoftuar familjarët e tij.
Sipas familjarëve, Qerkini ka qenë tash e tre muaj shtrirë nga një sëmundje.
Përreth 25 vjet, Qerkini është përpjekur për të ditur fatin e djalit të tij dhe të personave të tjerë të zhdukur nga lufta në Kosovë – duke u shndërruar në një simbol të familjeve të të pagjeturve.