Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ambasadori britanik flet për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott ka kërkuar që Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i të lejohen të bëjnë punën e tyre në veri të Kosovës, në mënyrë profesionale dhe pa u shqetësuar për prioritetet politike.

Ai ka thënë se zgjidhja e “situatës së vështirë dhe të rrezikshme në veri” kërkon durim dhe mendim të qetë.

“Është e rëndësishme që t’i jepet kohë dhe hapësirë për të gjetur zgjidhje afatgjata për të mirën e të gjithë qytetarëve. Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe pa u shqetësuar për prioritetet politike” – tha ai.

Sot është dita e 11-të që nga vendosja e barrikadave në rrugët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës që kanë bllokuar qarkullimin.

Janë gjithsej nëntë barrikada të vendosura në këto katër komuna që përpos cenimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve kanë bërë që të mbyllen edhe dy pikat e kalimit kufitar që lidhin Kosovën me Serbinë, atë në Jarinjë dhe në Bernjak.

Gjithçka filloi më 10 dhjetor 2022 kur u dha njoftimi zyrtar nga ana e Policisë së Kosovës për arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq, i cili dyshohet për sulm në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut.

Dita e 11-të e barrikadave në veri