Ambasadori amerikan viziton KQZ-në

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett sot ka vizituar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas një njoftimi të KQZ-së, ambasadori Kosnett u prit në takim nga kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka dhe anëtarët e komisionit.

Daka thuhet se e ka vlerësuar lartë vizitën e ambasadorit amerikan në këtë fazë të rëndësishme të angazhimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ndërkaq, ambasadori Kosnett shprehu mbështetje për KQZ-në në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 6 tetor 2019.

Në njoftim thuhet se Kosnett e vuri theksin në rolin thelbësor të KQZ-së për proceset demokratike në Republikën e Kosovës si dhe përgëzoi KQZ-në për punën e deritanishme, duke e inkurajuar për të vazhduar në këtë drejtim.

“Ambasadori Kosnett bashkëbisedoi me anëtarët e KQZ-së lidhur me procesin zgjedhor, të cilët falënderuan ambasadorin amerikan për vizitën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përkrahjen e vazhdueshme të Republikës së Kosovës në përgjithësi dhe KQZ-në në veçanti”, theksohet në njoftim.

Sipas komunikatës, anëtarët e KQZ-së shprehën përkushtimin e përbashkët për të punuar në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.