Foto: PDK

Ambasadori amerikan vizitë në PDK

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka theksuar se lidhja ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e shenjtë dhe e pathyeshme.

Kështu ka thënë ai pas një takimi që ka pasur me ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

“Në takim me Ambasadorin Philip Kosnett theksova se PDK, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, gjithmonë ka investuar në forcimin e raporteve mes vendeve dhe popujve tanë dhe kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Sipas tij, për PDK-në bashkërendimi me Uashingtonin për çështje të interesit strategjik është vital dhe i pazëvendësueshëm.

“Ambasadorin Kosnett e njoftova se PDK si lidere opozitare do të angazhohet me kompetencë dhe profesionalizëm që të ofrojë alternativë kredibile për qytetarët e Kosovës”, thuhet në publikimin e tij.

Memli Krasniqi është zgjedhur kryetar i PDK-së më 3 korrik të këtij viti.