Philip Kosnett, i nominuar për Ambasador të Amerikës në Kosovë. Foto: Facebook

Ambasadori amerikan reagon për vrasjen e gruas në Prizren

Mbrëmjen e 6 gushtit, një grua në Prizren u vra nga bashkëshorti i saj.

Në lidhje me vrasjen në Prizren gjatë ditës së sotme ka reaguar edhe Ambasadori Amerikan, Philip Kosnett, i cili ka thënë se kjo vrasje është një rikujtim se duhet të bëhet zgjidhje shoqërore për dhunën në familje.

“Vrasja tragjike në Prizren është një rikujtim se dhuna në familje kërkon zgjidhje shoqërore. Institucionet duhet të ndalojnë së trajtuari dhunën në familje si problem familjar dhe duhet ta përmirësojnë parandalimin dhe mbrojtjen”, ka shkruar Kosnett.

 

Ai tutje ka thënë se tani është koha që partitë të propozojnë zgjidhje për ta kundërshtuar këtë dhunë.

Gjatë ditës së djeshme është mbajtur seanca dëgjimore pas kërkesës për paraburgimin e të dyshuarit për vrasjen e bashkëshortes së tij në Prizren.

Mbrojtësi i të dyshuarit për vrasjen në Prizren, avokati Orhan Rekathati ka deklaruar në seancën dëgjimore të mbajtur sot se klienti i tij nuk ka pasur ndonjë parapërgatitje për kryerjen e kësaj veprës penale, dhe sipas tij, klienti i tij i cili e ka pranuar se ka kryer vrasjen e viktimës për këtë veprim është arsyetuar se mes tij dhe viktimës në vitet e fundit janë paraqitur disa konflikte verbale.

“Në mes të pandehurit dhe viktimës asnjëherë nuk ka pasur dhunë fizike ose përdorim të forcës ndaj të pandehurit, por gjithnjë kanë kaluar mirë, mirëpo në kohët e fundit viktima ka shprehur pakënaqësi në jetën e tyre dhe ka kërkuar nga i pandehurit të ndahen tërësisht”, ka thënë avokati.

Në ditën kritike sipas avokatit, viktima dhe i pandehuri janë fjalosur ashpër, ku sipas tij viktima ka përdorur fjalë të rënda fyese si ndaj të pandehurit ashtu edhe ndaj vëllezërve të tij dhe ka dalur nga shtëpia.

Avokati në seancën e sotme ka thënë se klienti i tij vuan nga sëmundja e diabetit ,sëmundje kjo e cila e bënë nervoz të pandehurin i cili nuk mund të kontrollojë veprimet e tij.

Tutje, në seancë avokati ka deklaruar se pasi viktima ka dalur nga shtëpia, i pandehuri ka dalur pas saj dhe e ka takuar në vendin ku ka ndodhur vrasja , i cili me vete ka pasur revole të cilën e ka mbajtur pa leje, por për çështje sigurie, dhe e ka kryer vrasjen.

I pandehuri, Bajram Velija në seancën e mbajtur ka deklaruar se të gjitha veprimet i ka ndërmarrë në një moment që nuk e ka ditur se si ka ndodhur,  ndërsa armën të cilën e ka pasur me vete në natën kritike, ka deklaruar se e ka mbajtur me vete here pas here për shkak të problemeve me fqinj.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për vrasjen e cila ndodhi në Prizren, ku viktimë e këtij rasti ishte një grua.