Harry Kamian, Foto: Society.at

Ambasadori amerikan në OSBE flet për dialogun Kosovë - Serbi dhe hapat e qeverisë Kurti kundër korrupsionit

Harry Kamian, i ngarkuar me punë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka thënë se stabiliteti, prosperiteti dhe paqja e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor janë të arritshme vetëm kur Kosova integrohet si një partner i plotë dhe i barabartë.

Këto deklarata Kamian i ka thënë në një përgjigje ndaj raportit të Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë.

Ai mes tjerash ka shtuar se ShBA-të mirëpresin hapat e fundit të qeverisë së re në luftën kundër korrupsionit.

“Në shkurt u formua qeveria e re e pas zgjedhjeve të karakterizuara nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së si ‘të administruara mirë dhe transparente’. Qeveria e kryeministrit Albin Kurti tani ka një mundësi për të avancuar prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, forcimin e sundimit të ligjit dhe nxitjen e rritjes ekonomike”, është shprehur ai.

Kamian ka thënë se ashtu siç është vënë re, ShBA-të janë përqendruar në avancimin e lidhjeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Dy të dërguar të posaçëm amerikanë po punojnë për të thyer ngërçin në marrëdhëniet Serbi-Kosovë, thelbësore për stabilitet dhe prosperitet rajonal”, ka theksuar ai.

Richard Grenell është i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ndërkaq Matthew Palmer është i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Zyrtari amerikan Kamian ka folur edhe për marrëveshjet që janë arritur mes Kosovës dhe Serbisë për linjën ajrore, hekurudhore dhe për autostradat Prishtinë-Beograd.

“Marrëveshjet e fundit për të rritur lidhjet ajrore, rrugore dhe hekurudhore midis Prishtinës dhe Beogradit dëshmojnë se zgjidhjet praktike janë të mundshme dhe demonstrojnë se qytetarët në të dy vendet do të shohin përfitime të prekshme ekonomike nga normalizimi i marrëdhënieve”, ka thënë ai.

Sipas Kamian, ky është mesazhi që presidentët Thaçi dhe Vuçiq morën në Uashington javën e kaluar.

Pak ditë më parë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është takuar në Shtëpinë e Bardhë me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiq, në praninë e Këshilltarit të Presidentit Trump për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien dhe emisarit amerikan për dialogun Kosovë- Serbi, ambasadorit Richard Grenell.

Thaçi u shpreh se ky takim shënon kthimin e fuqishëm të ShBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, si dhe ka mohuar se në atë takim është arritur ndonjë marrëveshje mes të dyja vendeve.

Kurse, SHBA-të po kërkojnë sërish që Kosova të heq tarifën doganore ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

“Shtetet e Bashkuara e kanë sqaruar se Qeveria e Kosovës duhet të pezullojë tarifat dhe të dy palët duhet të rifillojnë negociatat për të zhbllokuar potencialin e plotë të vendeve të tyre”, është shprehur Harry Kamian.

Harry Kamian, Foto: Society.at

Pas presionit ndërkombëtar, Presidenti Thaçi ka bërë thirrje që tarifa 100 përqind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake të hiqet ndërkaq Kryeministri Kurti ka paralajmëruar heqjen e pjesërishme të vendimit duke filluar nga 15 marsi.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezullar që nga fundi i vitit 2018, kur Qeveria e kaluar e Kosovës në krye me Ramush Haradinajn i vendosi tarifë 100 për qind produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.