Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, Foto: KALLXO.com

Ambasadori amerikan në Kosovë kërkon të bëhet më shumë për të pagjeturit

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier në ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur të Kosovës, ka thënë se qëndrojnë pranë familjeve të cilat ende nuk dinë asgjë për fatin e më të dashurve të tyre.

Ambasadori Hovenier ka thënë se duhet bërë më shumë për drejtësinë.

“Sot, në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur të Kosovës, ne qëndrojmë pranë familjarëve të cilëve edhe 20+ vite më vonë, ende u mungojnë përgjigjet për fatin e të dashurve të tyre të zhdukur. Duhet bërë më shumë për të garantuar drejtësi dhe zgjidhje për këto familje dhe ato që humbën”, ka shkruar ai.

Sot në Kosovë shënohet dita e personave të zhdukur në Kosovë.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6,500 persona kanë qenë të zhdukur.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70% e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1,600 persona, shumica prej tyre shqiptarë.