Ambasadori amerikan në Beograd vizitoi Bujanocin, takoi kryetarin Nagip Arifi

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tw hwnwn ka takuar kryetarin e komunës së Bujanocit, Nagip Arifin.

Sipas një postimi në Facebook, Arifi ka thënë se me ambasadorin Hill ka biseduar për gjendjen aktuale politike dhe ekonomike në vend, por edhe për zhvillimet rajonale, me theks të veçantë rreth Marrëveshjes së Ohrit.

“Sot pata kënaqësinë që të pres Ambasadorin e SHBA-së në Beograd Sh.T. Christopher Hill, me të cilin biseduam për gjendjen aktuale politike dhe ekonomike në vend, por edhe për zhvillimet rajonale, me theks të veçantë rreth Marrëveshjes së Ohrit” – shkruan Arifi.

Kryetari i Bujanocit tha se ka njoftuar ambasadorin amerikan rreth diskriminimit shtetëror ndaj shqiptarëve në Luginë dhe për mos interesimin e qeverisë serbe për të zhvilluar këtë rajon.

“E njoftova ambasadorin Hill rreth diskriminimit shtetëror ndaj shqiptarëve në Luginë, duke u nisur nga pasivizimi i adresave, mos integrimi i shqiptarëve në organet shtetërore, mosnjohja e diplomave nga Republika e Kosovës, deri te mos interesimi i Qeverisë serbe për ta zhvilluar këtë rajon ekonomikisht” – ka shkruar tutje Arifi.

Më tej, sipas Arifit, ambasadori Hill i ka premtuar se këto çështje do t’ia adresojë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministres serbe, Ana Bërnabiq.

“Nga ana tjetër, Sh.T. ambasadori Hill premtoi se këto çështje do t’ia adresojë presidentit Vuçiq dhe kryeministres Bërnabiq. Gjatë bisedës elaboruam edhe pika të Marrëveshjes së Ohrit, ku ambasadori Hill përkrahë këtë marrëveshje dhe do të insistojë që të implementohet sa më parë”- ka thënë Arifi.

Më 18 mars, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.