Foto: Ministria e Arsimit, Shkences dhe Teknologjise. 19/04/2021.

Ambasadori amerikan konfirmon mbështetjen për sektorin e arsimit

Ministrja e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci së bashku me zëvendësministrin, Dukagjin Pupovci, si dhe shefja e kabinetit të ministres, Edita Buçinca, kanë takuar sot ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe zëvendësshefi i sektorit për marrëdhënie me publikun në Ambasadë, Ray Nayler, si dhe Matthew Cullinane përfaqësues nga USAID-i.

Sipas një njoftimi për media, ministrja Nagavci e ka njoftuar ambasadorin Kosnett për programin qeverisës, që objekt strategjik i tij janë të gjitha fushat e arsimit në Kosovë.

Në këtë takim u shpreh vullnet për bashkëpunim që nga vlerësimi formativ e deri te ndërlidhja e arsimit me tregun e punës, duke përmendur këtu inkuadrimin e ish-bursistëve të mbështetur nga Qeveria amerikane.

Ambasadori Kosnett ka theksuar se Qeveria amerikane e mbështet zotimin e Qeverisë së Kosovës që në pozita të rëndësishme të vendosen persona të kualifikuar.

Po ashtu, ambasadori e ka cilësuar si të nevojshëm edhe krijimin e programeve për mësimin e gjuhëve të komuniteteve.

Ministrja Nagavci theksoi se deri në vjeshtën e këtij viti do të krijohet programi për përfshirjen e profesorëve nga mërgata.

Ajo e vlerësoi të rëndësishëm bashkëpunimin me Fakultetin e Edukimit për t’u siguruar që programet e tij synojnë programe cilësore.

Në takim u diskutua edhe për funksionalizimin e bordit të KShC-së, ku ministrja siguroi se procedura do të jetë transparente.

Ambasadori Kosnett është shprehur i gatshëm për bashkëpunim të afërt në të ardhmen në fushat që janë me rëndësi për zhvillimin e vendit.