Ambasadori amerikan: Jemi të përkushtuar të gjejmë të vërtetën për të zhdukurit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffery M. Hovenier i është bashkuar homazheve të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti tek përmendorja dedikuar të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Hovenier është shprehur i nderuar që i është bashkuar krerëve të shtetit dhe familjarëve të të zhdukurve për të respektuar Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukur me Dhunë.

Ambasadori amerikan ka thënë se mbetet i përkushtuar për të kërkuar dhe gjetur të vërtetën.

“Jam nderuar që ju bashkova presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti dhe familjarëve të të zhdukurve për të respektuar Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukur me Dhunë. Ne qëndrojmë me çdo person që është në pritje të lajmeve për të dashurit e tyre të zhdukur dhe mbetemi të përkushtuar për të kërkuar dhe gjetur të vërtetën”- ka shkruar Hovenier në twitter.

Kur lufta e Kosovës 1998-1999 përfundoi, gjithsej 6,044 persona u regjistruan si të zhdukur. Pak më shumë se 23 vjet më vonë, më shumë se 1,600 prej tyre, kryesisht shqiptarë etnikë, por edhe serbë dhe romë, ende nuk janë gjetur.

Kosova instensifikon kërkimet për të zhdukurit e kohës së luftës