Ambasadori amerikan i shkon në zyrë Albin Kurtit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip S. Kosnett së bashku me dy bashkëpunëtore i kanë shkuar në zyre kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Sipas komunikatës së Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti e ka siguruar ambasadorin e Kosnett se ai do të jetë kryeministër i të gjithë qytetarëve.

“Kryetari Kurti e siguroi z.Kosnett se do të jetë kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai e njoftoi ambasadorin se konsolidimi i brendshëm i Kosovës me shtetndërtim demokratik, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe progres shoqëror është prioritet që do ta zbatojë, meqë edhe nevojat e qytetarëve e vullneti i tyre i shprehur në këto zgjedhje ishte për këtë”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa, Vetëvendosje thotë se është uruar nga Kosnett për fushatën e bërë nga Albin Kurti.

“Ambasadori Kosnett shprehu kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve dhe uroi kryetarin Kurti për një fushatë që adresoi shqetësimet e votuesve”, thuhet tutje në komunikatë.

Vetëvendosje shkruan se ambasadori Kosnett është njoftuar se dialogu do të filloj me serbët e Kosovës, ndërsa brenda muajit të parë do të kërkoj të ketë takim me përfaqësuesin e ri të lartë të BE-së për Siguri e Politikë të Jashtme, z.Borell.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka dalur e para në zgjedhjet e 6 tetorit.