
Foto: REL/RFE
Ambasadori amerikan: Ende s'ka prova për të mbajtur dikë përgjegjës për sulmin në kanalin e "Ibër-Lepencit"
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka thënë se nuk e dinë ende nëse sulmi në kanalin e “Ibër-Lepencit” ka lidhje me sulmin në Banjskë dhe se nuk mund të thonë se kush është përgjegjës sepse ende nuk kanë prova, ndonëse beson se ato do të gjenden.
“Përkitazi me atë se çka dimë për atë që ndodhi, është ende shumë herët dhe siç e kam thënë javën e kaluar që Shtetet e Bashkuara të jenë në gjendje të atribuojnë përgjegjësinë duhet të kemi një varg mjaft të qartë provash. Ne mendojmë se do të gjenden prova, por ende nuk i kemi. Pra, hetimet po vazhdojnë, po kryhen nga autoritetet kosovare” – tha ai në një intervistë në emisionin “Context” në ATV.
Hovenier shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ofruar mbështeten e tyre për të hetuar këtë ngjarje, të cilën e kanë dënuar.
“Zyrtarët amerikanë po punojnë me homologët kosovarë në përpjekje për të kryer hetimet – hetime efektive. Ne besojmë se ato duhet të jenë të besueshme, të shpejta, të drejta, transparente dhe sigurisht, është pikëpamja e Qeverisë amerikane që tashmë e kemi shprehur shumë fuqishëm se përgjegjësit për këtë sulm duhet të japin llogari” – tha Hovenier.
Ndonëse tha se janë në dijeni për deklaratat e Qeverisë së Kosovës që akuzojnë Serbinë për këtë sulm, Hovenier tha se këshilla e tyre është që duhet të presin deri në kryerjen e hetimeve dhe arritjen e rezultateve të besueshme, para se ta mbajnë dikë përgjegjës.
Sa i përket sigurisë në zonën veriore të Kosovës, ambasadori tha se në atë pjesë ka rrezik më të madh për trazira civile sesa në pjesët e tjera të vendit.
Prandaj, ai tha se u thonë qytetarëve amerikanë që të rishikojnë udhëtimin e tyre në atë zonë.
“Në këshillat tona për qytetarët amerikanë, më gjerësisht, u themi qytetarëve amerikanë që të rishikojnë udhëtimin në Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zveçan apo Zubin Potok, për shkak të mundësisë së trazirave civile. Nëse personeli i ambasadës dëshiron të shkojë në veri, ata duhet të kenë lejen time. Ne shkojmë atje. Jemi atje. Punojmë me njerëz. Është e rëndësishme për ne të kuptojmë zonën” – shtoi ai.
Shpërthimi i datës 29.11.2024 në kanalin e ujit të “Ibër- Lepencit” në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut ka dëmtuar rëndë atë duke lënë pa ujë disa qytete dhe duke rrezikuar furnizimin me energji elektrike e ngrohje të një pjese të madhe të vendit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se sulmi është kryer nga grupe terroriste.
“Unë nuk i kam emrat e atyre që e kanë vënë detonimin. Por, unë e di një gjë, se elemente të tilla kriminale, qofshin edhe zyrtarisht anëtarë të Mbrojtjes Civile, Brigadës Civile, ata e kanë mbështetjen dhe dirigjimin nga Beogradi zyrtar.”– kishte thënë Kurti.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka mohuar që Serbia ka lidhje me sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit” në zonën e Zubin Potokut.
Për sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit”, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, nga 15 deri në 20 kilogramë, i cili dyshohet se është aktivizuar me detonator mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.
“Si pasojë e këtij sulmi janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në kanalin e Ibër- Lepencit, si pasojë e të cilave është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për shumë zona dhe lokalitete si dhe duke rrezikuar tej mase edhe furnizimin me energji elektrike apo edhe rrezikun me pasoja më të rënda për avari në sitemin energjetik të Republikës së Kosovës”- është shprehur Hoxha.
Pas shpërthimit, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme më 30.11.2024, në ora 01:30h.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë që kishte ndodhur disa ditë më herët. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka dënuar po ashtu shpërthimin në Zubin Potok.
Arrestimet në lidhje me sulmin në Ibër Lepenc
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kryer disa kontrolle në lokacione të ndryshme, gjatë të cilave janë gjetur dhe sekuestruar armë të ndryshme e pajisje tjera lidhur me rastin e ndodhur më 29.11.2024 në fshatin Varagë të Zubin Potok.
“Me këtë rast në stacionin policor janë shoqëruar 10 persona të dyshuar për veprat penale: “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve Publike”- nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”- nga neni 129 par. 1 dhe neni 128 par 1 nën par. 1.8 të KPRK, “Mbajtja në pronësi, kontrollë ose posedim të pa autorizuar të armëve”- nga neni 366 par 2 lidhur me par. 1 të KPRK”- kishte njoftuar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Gjykata e Prishtinës kishte caktuar masën e paraburgimit për vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, të arrestuar nën dyshimin se kanë marrë pjesë në sulmin terrorist.