Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier

Ambasadori amerikan e konfirmon ardhjen e Escobarit në Kosovë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier ka thënë se mezi po presin vizitën e Zv/Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar në Kosovë gjatë javës së ardhshme.

Ai përmes rrjetit social Twitter potencoi se dialogu është mënyra më e mirë që liderët të japin rezultate për qytetarët por edhe njohjen e Kosovës dhe vendin që meriton.

“Ekipi im dhe unë po presim me padurim përfaqësuesin Special Escobar në Kosovë javën e ardhshëm. Progresi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mbetet mënyra më e mirë për të siguruar që liderët e Kosovë mund të japin rezultate për qytetarët dhe që Kosova të njihet e të zë vendin e merituar si lider botëror”, është shprehur Hovenier.

 

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell më 25 janar konfirmoi se javën e ardhshme në Kosovë dhe Serbi do të qëndrojë i dërguari i posaçëm për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011-ën. Rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq është mbajtur në korrik të vitit 2021.