Albin Kurti në takim me Jake Sullivan | Foto:ZKM

Ambasadori amerikan demanton mediat, thotë se Kurti ishte në Shtëpinë e Bardhë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier ka reaguar lidhur me raportimet për pritjen e kryeministrit Kurti nga Këshilltari për Siguri i kabinetit të Joe Biden, Jake Sullivan, duke raportuar se takimi nuk është mbajtur në ‘Shtëpinë e Bardhë’.

Përmes rrjetit Twitter Hovenier tha se është befasuar nga artikujt e pasaktë në mediat vendore sa i përket lokacionit të këtij takimi.

“U befasova kur pashë disa raportime të pasakta dhe mashtruese në shtypin lokal në lidhje me vendndodhjen e Kryeministrit Albin Kurti gjatë takimit me Këshilltarin për Siguri Kombëtare të kabinetit të Biden, Jake Sullivan”, shkroi Hovenier.

Sipas tij, Ndërtesa e Zyrës Ekzekutive Eisenhower është pjesë e Shtëpisë së Bardhë.

“Takimet komplekse dhe të nivelit të lartë, duke përfshirë Presidentin, Zëvendës Presidentin dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare mbahen rregullisht atje”, shtoi tutje ambasadori.

Ambasadori ka nxjerr fotografi edhe nga një takim i vitit 2010 të ish-kryeministrit Hashim Thaçi me ish-zëvendëspresidentin e atëhershëm Joe Biden, ku i pranishëm kishte qenë edhe vet ambasadori Jeff Hovenier.

“Si një shembull: në vitin 2010, unë isha i pranishëm në një takim mes zëvendëspresidentit të atëhershëm Biden dhe kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi në ndërtesën e Zyrës Ekzekutive të Eisenhoëer” potencoi ai.

Takimi i kryeministrit Albin Kurtin me Këshilltarin për Siguri Kombëtare të administratës së Joe Biden u komentua shumë nëpër media të Kosovës që konsideronin se Kurti nuk u prit në Shtëpinë e Bardhë por në shkallë të një ndërtese.

Kurti nga takimi me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare: Dialogu me Serbinë duhet të jetë parimor