Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ambasadori Abbott për dialogun Kosovë-Serbi: Nuk është garë mes Evropës dhe Amerikës

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott,  në emisionin “Kallxo Përnime” ka deklaruar se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk është një lojë futbolli në të cilën shihej një humbje e momentit.

Abbott tha se nuk e sheh si garë mes Evropës dhe Amerikës pasi, sipas tij, nuk ka asnjë strategji reale të konkurrencës apo garës në këtë çështje.

“Mendoj që së pari duhet thënë që kjo nuk është një lojë futbolli, ku do të shihej një humbje e momentit, dhe kjo nuk është një çështje e fituesit apo humbësit, por është një çështje e diplomacisë, negociatave, dhe pjesë e saj është edhe e ardhmja e këtij regjioni. Prandaj, nuk e shoh në aspekt binar të fitores apo humbjes, por edhe nuk e shoh, sikur ju thatë në fillim, se kjo na qenka një garë në mes të Evropës dhe Amerikës. Në esencë, nëse dikush është anëtar i Quint-it, anëtar i Bashkimit Evropian apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ka asnjë strategji reale të konkurrencës apo garës në këtë çështje. Të gjithë ne duam të shohim Kosovën duke arritur sukses. Unë dua që Kosova të jetë një anëtare aktive dhe e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar, e afërt me Evropën, me Mbretërinë e Bashkuar dhe e afërt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Abbott.

I pyetur nëse sheh ndonjë rezultat nga ana e diplomacisë brenda këtyre dhjetë viteve, ambasadori tha se janë disa marrëveshje të nënshkruara e disa nga to kanë arritur progres shumë praktik.

“Natyrisht që ka pasur rezultate, ka pasur mundësi për të dy palët që të fokusohen në çështje të ndryshme. Ky është një dialog i lehtësuar nga BE-ja, ku Bashkimi Evropian po bën përpjekje për të gjetur një gjuhë të përbashkët në mes të dy shteteve, me qëllim që të zgjidhen disa nga çështjet afatgjata e që do të mundësonin normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy palëve”, u shpreh ai.

“Pra, në praktikë, ju mund të shihni numrin e marrëveshjeve që janë nënshkruar e disa nga to kanë arritur progres shumë praktik. Natyrisht, disa nga këto marrëveshje nuk janë zbatuar, nga të dy palët, e që jam i sigurt se është një nga prioritetet e Bashkimit Evropian për të shtyrë përpara çështjet që mund të shtyhen, ashtu që të sigurohet që marrëveshjet të realizohen. Sepse, në fund të ditës, kjo ka të bëjë me jetën e njerëzve të vërtetë dhe nevojën për të siguruar, për shembull jetën e njerëzve në Prishtinë, këtu ku jemi sot, dhe në të gjithë Kosovën, ashtu që qytetarët e Kosovës të mund të jetojnë një jetë normale ku shëndetësia, arsimi janë prioritetet kryesore”, shtoi ambasadori Abbott.