Ambasadori britanik Nicholas Abbott bën homazhe në Prekaz, Foto: Nicholas Abbott /Facebook

Ambasadori Abbott bën homazhe në Prekaz: Britania qëndron prapa ndërhyrjes për lirinë e kosovarëve

Në ditët kur ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po dalin para Gjykatës Speciale pas konfirmimit të aktakuzave ndaj tyre për krime lufte, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë,  Nicholas Abbott, ka nderuar të rënët e familjes Jashari në Prekaz.

Abbott ka thënë se Britania e Madhe do të qëndrojë prapa intervenimit të NATO-s në Kosovë gjatë luftës, si një veprim i drejtë për të parandaluar katastrofën humanitare në Kosovë dhe për t’’ua mundësuar kosovarëve të jetojnë të lirë nga shtypja.

“Këtë mëngjes bëra nderimet e mia në memorialin e familjes Jashari në Prekaz në përkujtim të ngjarjeve të tmerrshme atje mbi njëzet vjet më parë. Sot Kosova ka guximin të përballet me të kaluarën përmes sundimit të ligjit dhe në ndjekjen e drejtësisë për viktimat”, ka shkruar ambasadori në Facebook.

Abott ka cituar edhe ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe Tony Blair.

“Mbretëria e Bashkuar gjithmonë do të qëndrojë pranë ndërhyrjes së saj si një çështje e drejtë, për të parandaluar një katastrofë humanitare dhe për të lejuar kosovarët të jetojnë të lirë nga shtypja. Siç tha Toni Blair më 23 mars 1999: ‘Ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër përveç të veprojmë dhe ashtu do të bëjmë’”, thuhet në publikimin e ambasadorit.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ish-zëdhënësi i UCK-së, Jakup Krasniqi dhe ish bashkëthemeluesi i UCK-së, Rexhep Selimi, po paraqiten në Hagë për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

 

Ambasadori britanik Nicholas Abbott bën homazhe në Prekaz, Foto: Nicholas Abbott /Facebook
Ambasadori britanik Nicholas Abbott bën homazhe në Prekaz, Foto: Nicholas Abbott /Facebook