Ambasadorët e Quint-it: Takimet me liderët politikë e institucionalë të Kosovës nuk sinjalizon miratim a mbështetje

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe ShBA-së sot përmes një njoftimi kanë thënë se pjesëmarrja në takime me liderë të ndryshëm nuk sinjalizon përputhje me praktikën normale demokratike.

Ambasadorët e Quint-it kanë deklaruar se ata marrin pjesë në takime në mënyrë që t’i mbajnë qeveritë e tyre të informuara me zhvillimet politike në Kosovë.

“Dëshirojnë të njoftojnë se ne bëjmë takime me udhëheqës politikë dhe institucionalë që t’i dëgjojmë pikëpamjet e tyre dhe për të pranuar informata, në mënyrë që t’i mbajmë qeveritë tona të informuara lidhur me zhvillimet. Pjesëmarrja në takime të tilla nuk sinjalizon miratim ose mbështetje për ndonjë pozitë të veçantë apo rrjedhë të veçantë veprimi. Kjo është në përputhje me praktikën normale diplomatike”, thuhet në deklaratën e përbashkët nga ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-ve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar sot përfaqësuesit e ambasadave të Kuintit dhe përfaqësuesen e BE-së, të cilët i ka njoftuar për hapat e ndërmarrë pasi partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës kanë shprehur vullnetin që të formohet një Qeveri e re pas shkarkimit të Qeverisë Kurti.

Sipas një njoftimi për media nga Presidenca, në këtë takim ishin ambasadori i SHBA-së, ai i Britanisë së Madhe, i Gjermanisë, ambasadorja e Francës, ambasadori i Italisë dhe Përfaqësuesja Speciale e BE-së në Kosovë.

Tutje në njoftim thuhet se Thaçi u shpreh se pas konsultimeve me partitë politike është e qartë se shumica absolute janë në favor të formimit të Qeverisë së re pa shpërbërjen e Kuvendit dhe konform këtij vullneti të shprehur dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës ka kërkuar nga LDK-ja kandidatin apo kandidaten për të formuar Qeverinë e re.

“Pas konsultimeve me partitë politike i kam kërkuar Kryetarit të LDK-së, z. Isa Mustafa, të ofrojë kandidatin apo kandidaten për formimin e Qeverisë së re”, është shprehur presidenti Thaçi, duke shtuar se “çdo hap është dhe do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”.

Zyrtare: Thaçi i jep mandatin LDK-së ta formojë qeverinë e re