Ambasadorët e Gjermanisë dhe Çekisë mbështesin heqjen e vizave për Kosovën

 Në tryezën me temën “Agjenda Evropiane 2022”,  Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde tha se Gjermania e ka mbështetur Kosovën në reformën për qeverisje të mirë, agjendën e gjelbër dhe punësimin.

Gjermania sipas tij, ka ofruar mbështetje për implementimin e reformave për procesin e anëtarësimit siç është përafrimi me ligje të BE-së.

Anëtarësimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perendimor sipas tij është prioritet.

“Raporti i BE për Kosovën ju përkujton institucioneve reformat që duhet të ndërrmiren që vendi të ecë përara në këtë proces” – tha ai.

Ambasadori mes tjerash tha se “duhet zgjidhje e shpejtë për liberalizimin e vizave”.

Në anën tjetër, Pavel Bílek, Ambasador i Çekisë në Kosovë tha se BE nuk duhet ta harrojë Ballkanin Perendimor.

Ai ka përmendur konfliktin në Ukrainë duke shtuar që Kosova iu është bashkua sanksioneve ruse pa asnjë hezitim.

Ajo çka lidhet sipas tij me luftën në Ukrainë, është edhe siguria kibernetike.

“Është nevojë e menjëhershme. Në këtë fushë Çekia e ka mbështë përfshirjen e Ballkanit Perendimor në  agjendën e BE-së”, tha ai.

Ai tha se agjenda për liberalizimin e vizave të Kosovës është mbështetur nga Çekia.

Sipas tij BE dhe Kosova po ballafaqohen me shumë sfida.

“Kemi shumë qëllime për t’i arritur në agjendën tonë për vitin 2022 dhe në agjendën e Kosovës 2022”, tha ai.

Kurse, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se është hera e parë që “raporti i progresit në tërësi e vlereson punën e qeverisë Kurti”.

“Çdo sukses ne kemi të drejtë t’i përvetësojmë meritat dhe t’i pranojmë vërejtjet e kritikat. Viti 2022 është vit i rëndësishëm për Agjendën Evropiane. Synimi ka qenë që Kosova e ka ritmin më të përshpejtuar se vendet e rajonit e të cilat janë në stad më të avansuar. Ne kemi mundësinë e vullnetin të shënojmë progres më të shpejtë” – tha Bislimi.

Sipas tij, në shumë fusha ka pas progres.

“Stabiliteti politik përmendet në raport. Raporti tregon që në këto sfida qeveria është gjetur mirë vaksinimi, çështja e emergjisë problemi me inflacionin. Mendoj që ka disa fusha që me të drejtë nuk pajtohemi me vlerësimin që e ka dhënë BE. Është shumë me rëndësi që në raportin e progresit nuk shohim vleresim për ndërhyrje të politikës në institucione. Kjo është një hap shumë i madh. Rritja ekonomike është verifikuar nuk është shifër e shpikur nga qeveria e njëjta vlenë edhe për punësimin” – tha ai.

Ndërsa, Rrezarta Krasniqi (LDK), kryetare e Komisionit për Integrim Evropian të Kuvendit të Kosovës tha se pas 10 vitesh dialog per liberalizim të vizave, të gjithë qytetarët i kanë sytë nga BE-ja.

“Ai proces për Kosovën zgjati më shumë se në të gjitha vendet e Ballkanit Perendimor. Jemi fare pranë momentit kur qytetarët tanë do t’i gëzohen lëvizjes së lirë. Është koha e fundit ta korrigjojmë këtë padrejtësi”, theksoi ajo.

Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka liberalizim të vizave.

Më 13 tetor, për herë të parë grupi punues për vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian diskutoi për liberalizimin e vizave për Kosovën, nga e cila u përmendën disa kërkesa të reja deri në heqjen e regjimit të vizave për kosovarët.

Deri tek kjo mbledhje kishte ardhur pas letrës të cilën presidenca çeke e BE-së ia kishte dërguar vendeve anëtare për të diskutuar për këtë temë.

Çfarë po ndodh me vizat për Kosovën?