Ambasadorët e BE-së miratojnë liberalizimin e vizave për Kosovën
Ambasadorët e Bashkimit Evropian kanë miratuar tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Presidenza çeke e Këshillit të BE-së bëri të ditur përmes rrjetit Twitter se ky veprim sjell Kosovën një hap më afër në rrugëtimin evropian.
“Ambasadorët e BE-së miratuan tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën përpara miratimit përfundimtar nga Këshilli i BE-së. Presidenca çeke e Këshillit Evropian e çon Kosovën një hap më tej në rrugën e saj evropiane”- thuhet në njoftim.
#COREPERII | ✅ EU ambassadors approved the compromise text on #visa liberalisation for #Kosovo ahead of final adoption by @EUCouncil. #EU2022CZ brings Kosovo one step further on its European path. pic.twitter.com/9xHZFidj3N
— EU2022_CZ (@EU2022_CZ) December 20, 2022
Marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të votohet më 12 janer në Komisionin e Parlamentit Evropian.
“Marrëveshja do të konfirmohet nga komisioni kompetent i PE-së, Komisioni për Liritë Civile, i cili pritet ta votojë më 12 janar. Atëherë, seanca plenare e Parlamentit do të duhet gjithashtu ta miratojë atë”- thuhet në përgjigjen e Ojamo për KALLXO.com.
Më 30 nëntor, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së ishin pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.
Sipas njoftimit për media, “Heqja e vizave do të hyjë në fuqi kur sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, të jetë funksional, në çfarëdo rasti jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”.
ETIAS kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.
Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.
Procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 – pa ndonjë datë të saktë.
Komisioni Evropian nisi dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012.
Në qershor 2012, Komisioni i paraqiti Kosovës një Udhërrëfyes për Liberalizimin e Vizave, i cili identifikoi legjislacionin dhe masat institucionale që Kosova duhej të miratonte dhe të zbatonte për të avancuar drejt liberalizimit të vizave.
Udhërrëfyesi përcaktonte një listë gjithëpërfshirëse të reformave, duke përfshirë ri-integrimin dhe ripranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe të migracionit, azilin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.
Komisioni ka miratuar 4 raporte për progresin e arritur nga Kosova në dialogun për vizat, si dhe ka paraqitur propozimin e tij për heqjen e kërkesave për viza për qytetarët e Kosovës më 4 maj 2016.
Propozimi u bazua në arsyetimin se deri në kohën kur propozimi të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, Kosova do ta kishte ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe do të forconte arritjet e saja në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pra dy standardet përfundimtare.
Kosova arriti që pas shumë seancash me gazë lotsjellës e kundërshtime të ratifikoi marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.
Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.