Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ambasadat mbrojnë Ministrinë e Pushtetit Lokal pas sulmeve për raportin e performancës

Ambasadat e Zvicrës, Suedisë dhe Norvegjisë i kanë dalë në mbrojtje Ministrisë së Pushtetit Lokal në procesin e vlerësimit të performancës pasi kjo Ministri është duke u përballur me një fushatë kritikash për shkak të vlerësimeve negative për performancën e disa komunave të Kosovës.

Në një reagim publik ambasadat e kanë quajtur punën në Ministrinë e Pushtetit Lokal si shembull dhe proces kredibil duke e vlerësuar si transparente dhe model për institucionet e tjera.

Reagimet kanë ardhur pas një fushate në media nga disa kryetarë komunash të cilët nuk kishin kaluar në granitin e performancës pasi grupi punues gjeti se nuk ishin zbatuar kriteret.

Reagimet kishin pasuar vendimin e ministrit të MPL Goran Rakiq i cili vendosi të tërhiqej nga skema e granteve për komunat gjatë këtij viti.

Letra e plotë e ambasadave:

Deklaratë e përbashkët për shtyp e Ambasadave të Zvicrës, Suedisë dhe Norvegjisë lidhur Grantin e Performancës Komunale

Ambasadat e Zvicrës, Suedisë dhe Norvegjisë janë të shqetësuara për diskutimet dhe lajmet e fundit për Grantin e Performancës Komunale, të cilin e financojmë së bashku me Ministrinë e Pushtetit Lokal në Kosovë. Konsiderojmë se duhet ta informojmë publikun për qëndrimin tonë në këtë drejtim.

Granti i Performancës Komunale është skemë e granteve që nxitë qeverisjen e mirë dhe ofrimin e mirë të shërbimeve komunale. Gjatë disa viteve të fundit ka treguar përmirësime të matshme në performancën komunale. Ne i vlerësojmë komunat për përpjekjet e tyre dhe i inkurajojmë që të vazhdojnë me përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e tyre.

Granti i Performancës Komunale është skemë e granteve të cilën e bashkë-financojmë së bashku me Ministrinë e Pushtetit Lokal. Skema e grantit zbatohet nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe HELVETAS Swiss Intercooperation. Ekspertët tanë janë duke punuar së bashku me Ministrinë gjatë tërë procesit. Kjo bëhet në përputhje me standardet më të larta të profesionalizmit dhe integritetit etik.

Granti i Performancës Komunale është shembull i një mekanizmi të drejtë, transparent, teknik dhe besojmë se mund të shërbejë si model për skemat e ardhshme. Kjo është njohur edhe në raportin më të fundit të progresit të BE-së.

Iu bëjmë thirrje të gjitha palëve që të luajnë një rol konstruktiv në fuqizimin e mëtejshëm të Grantit të Performancës Komunale. Grantet duhet t’i ndahen komunave me performancën më të mirë në Kosovë.

Ambasadat e Zvicrës, Suedisë dhe Norvegjisë