ARKIV - Mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë në Tiranë më 23 mars 2015. Foto: Kryeministria.al

Ambasada të përbashkëta e ndarje të shpenzimeve Shqipëri - Kosovë

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka thënë që tani është koha që të dy vendet të konkretizojnë bashkëpunimin në fushën e diplomacisë.

“Kosova dhe Shqipëria duhet të lëvizin drejt një bashkëpunimi të thelluar së paku në fushën e diplomacisë, ndaj jemi pajtuar që të mobilizojmë menjëherë grupet e punës dhe skuadrat teknike për të shqyrtuar të gjitha hapësirat tona për të filluar këtë proces”, tha ai pas takimit me Konjufcën.

Ministri shqiptar i ka propozuar Konjufcës që të kenë një ambasadë të përbashkët në Australi.

“Procesi i kolokimit të ambasadave duhet të zhvillohet hap më hap me procesin e këmbimit të personelit diplomatik. Marrëveshja që kemi firmosur vitin e kaluar mes dy ministrive ka krijuar një momentum të ri sa i përket bashkëpunimit të Shqipërisë dhe Kosovës”, tha ai.

Cakaj i ka propozuar Konjufcës dy marrëveshje të qeverisë shqiptare, të cilat sipas tij do ti ndihmojnë të dy vendet.

“Unë i kam propozuar Z.Konjufca dy marrëveshje fillestare të cilat besoj se kanë një peshë të konsiderueshme. Marrëveshja e parë është që të mblidhemi për të firmosur një marrëveshje për ndarje e shpenzimeve dhe detyrave në një fushat për lobimin e njohjes së Kosovës. Marrëveshja e dytë është për transmetimin e përvojave në procesin e integrimit evropian, ne edhe e kemi kryer ushtrimin e krahasimit të legjislacionit të Shqipërisë me atë evropian”, tha ai.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe për Diasporë i Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur në takim ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj.

Në një konferencë për media, Konjufca i uroi mirëseardhje në vendlindje, Cakajt, duke shtuar se ndaj njëri-tjetrit,  kanë më shumë obligime sesa falënderime.

“Mbledhja e përbashkët e Qeverive që te ndodhë në Shkodër, ne do te jemi në koordinim të plotë dhe ky të jetë një organizim me marrëveshje konkrete. Prej që është vendosë tarifa 100% ndaj mallrave serbe, shkëmbimet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë rritur 300%”, ka thënë ai.