Ambasada gjermane: Me vëmendje po ndjekim procesin gjyqësor ndaj drejtorit të 'Visametric'

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka reaguar për çështjen e kompanisë “Visametric” dhe arrestimin e drejtorit të saj para disa ditësh dhe nisjen e procesit gjyqësor ndaj tij.

S.O., po dyshohet për veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.

Në një komunikatë për shtyp është thënë se kjo ambasadë është në dijeni për arrestimin e drejtorit të Qendrës për pranimin e aplikacioneve për viza të “VisaMetric” dhe se me vëmendje po ndjek procesin gjyqësor ndaj tij.

“Pasditen e datës 16 maj 2023, ambasada për herë të parë mësoi për vendimin e Gjykatës Komerciale kundër VisaMetric, në të njëjtën ditë, kur VisaMetric përmes avokatit të saj edhe pranoi vendimin e shkallës së dytë”-është thënë në komunikatë.

Në reagim ëshë përmendur se “VisaMetric, menjëherë pasi mësoi për aktgjykimin, në konsultim me Ministrinë e Punëve të Jashtme në Berlin dhe Ambasadën Gjermane në Prishtinë, filloi zbatimin e tij. Që nga data 17 maj 2023, opsioni për kthimin e pasaportës me postë nuk është më i detyrueshëm, kur caktoni terminin në mënyrë elektronike”- është thënë në komunikatë.

Tutje ambasada ka treguar se VisaMetric në kontratën e tyre të lidhur me Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë obligohet të respektojë përcaktimet e Ligjit Federal për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave.

“…VisaMetric duhet të operojë infrastrukturën e saj të teknologjisë së informacionit në përputhje me kërkesat e Zyrës Federale për Sigurinë e Informacionit për Administratën Publike, dhe mund të ruajë të dhënat personale të aplikantëve vetëm në serverë brenda Zonës Ekonomike Evropiane”-ka thënë ambasada.

Ambasada ka theksuar se të dhënat e regjistruara alfanumerike dhe biometrike të aplikantëve i dërgohen ambasadës në formë të koduar dhe ka shtuar se këto të dhëna nuk ruhen në pajisjet e shërbyesit të jashtëm VisaMetric.

“VisaMetric edhe më tej është i obliguar që menjëherë pas dërgimit të fshijë të gjitha të dhënat e aplikantëve dhe të sigurojë që për caktimin e terminit të ruhen vetëm emri, të dhënat e kontaktit si dhe numri i pasaportës deri në momentin kur pasaporta i kthehet aplikuesit, dhe që këto të dhëna më pas të fshihen menjëherë”- ka theksuar ambasada.

Ambasada ka shtuar se “VisaMetric” është një ndërmarrje e përbashkët e zotëruar 60% nga kompania turke iData dhe 40% nga kompania VMS INVESTMENTS LLC. me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Që kur VisaMetric filloi operimin në Kosovë, në shtator të vitit 2022, kompania nuk ka pasur asnjë lidhje me Rusinë” – thuhet në komunikatën e tyre.

Më 23 maj,Prokuroria e Prishtinës njoftoi se kishte ndaluar për 48 orë drejtorin e kompanisë “Visametric”.

S.O., po dyshohet për veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.

Një ditë më vonë, Gjykata e Prishtinës refuzoi kërkesën e Prokurorisë që ndaj pronarit të kompanisë “Visametric”, O.S., të caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh për veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.

Të njëjtit i është caktuar si masë për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale, ajo e dorëzanisë.Masa e dorëzanisë do të jetë në shumë prej 15 mijë euro.

Të njëjtit gjithashtu i është konfiskuar pasaporta.

E lidhur me këtë vendim të Gjykatës së Prishtinës për KALLXO.com është deklaruar mbrojtësi i S.O., avokati Kushtrim Palushi.

Të njëjtit e kanë mirëpritur masën e dorëzanisë të caktuar nga gjykata.

“Masa e caktimit të dorëzanisë nga ana e gjykatës është një vendim i drejtë krahasuar me kërkesën e prokurorisë që t’i caktohet masa e paraburgimit Drejtorit Menaxhues të ‘Visametric L.L.C.’ edhe pse në rastin konkret nuk ka pasur asnjë bazë për arrestimin e Drejtorit Menaxhues për arsye se i njëjti vullnetarisht i është përgjigjur ftesës së Prokurorisë për intervistim. Për Drejtorin Menaxhues është pozitiv fakti se ai është lënë i lirë dhe dorëzania është ofruar me qëllim të garantimit të pranisë së tij në procedurë deri në sqarimin e plotë të fakteve rreth zbatimit të vendimit të Gjykatës Komerciale” – tha Palushi për KALLXO.com.

Gjykata Komerciale ia ka ndaluar kompanisë “Visametric” që të detyrojë aplikantët të paguajnë shërbimin postar për t’u kthyer pasaportat kur ata aplikojnë për viza në Ambasadën gjermane në Kosovë, kishte njoftuar avokati Flamur Abdullahu.

Kjo shumë është paguar nga të gjithë aplikantët në vlerë prej 30 euro.

Po ashtu, Gjykata përmes vendimit të datës 15 mars ka obliguar këtë kompani që t’ua lejojë qytetarëve që të mund t’i tërheqin pasaportat e tyre edhe fizikisht, në zyrat e tyre, përderisa deri më tani, kjo gjë nuk është mundësuar.

Vendimin e gjykatës, “Visametric” e kishte apeluar. Por shkalla e dytë e gjykatës refuzoi ankesën e kompanisë si dhe rikonfirmoi vendimin e shkallës së parë për ndalimin e detyrimit të aplikantëve që të paguajnë shërbimin postar prej 30 euro, për t’u kthyer pasaportat kur ata aplikojnë për viza në Ambasadën gjermane në Kosovë.

Ndonëse nga kompania kishin deklaruar se do ta respektojnë vendimin, ka pasur raportime nga qytetarët se e njëjta nuk po ndodhte.

“Visametric” është kontraktuesi i vetëm zyrtar i Ambasadës Gjermane në Prishtinë për pranimin e aplikacioneve për viza Schengen nga shtatori i 2022-ës.