Ambasada Gjermane jep informacione për kosovarët që duan të shkojnë në Gjermani

Ambasada Gjermane në Kosovë ka dhënë informacione rreth qëndrimit të kosovarëve në shtetin gjerman pas situatës me pandeminë COVID-19.

Sipas ambasadës, nëse kosovarët kanë qëndruar në 14 ditët e fundit në Kosovë, të gjithë janë të detyruar që të vendosen në vendbanimin në Gjermani, të kryejnë testimin në aeroport, dhe të karantinohen derisa të marrin një rezultat negativ të virusit COVID-19.

“Nëse udhëtoni për në Gjermani dhe brenda 14 ditëve të fundit para udhëtimit tuaj keni qëndruar në Kosovë (apo në një vend tjetër të ashtuquajtur „rajon me rrezikshmëri të lartë“), ju parimisht jeni të detyruar që pas hyrjes të vendoseni drejtpërdrejtë në vendbanimin/destinacionin tuaj në Gjermani, pas hyrjes duhet të testoheni për Covid-19 (p.sh. në njërin nga qendrat e testimit në aeroport, në autostradë, ose përmes institucionit shëndetësor në vendin tuaj të qëndrimit/banimit) dhe nuk keni të drejtë të dilni nga banesa/vendi i qëndrimit deri sa të dalë rezultati negativ i testimit”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu në komunikatë thuhet se testet nuk kushtojnë asgjë nëse kryhen 72 orë nga hyrja në shtetin gjerman dhe se nëse shkelen këto detyrime, duhet të llogaritin gjoba të larta.

“Edhe më tej jeni të detyruar që pas hyrjes të lajmëroheni me e-mail, ose telefon në institucionin kompetent, gjegjësisht, institucionin shëndetësor në vendin tuaj të banimit/qëndrimit. Udhëtarët, të cilët e kanë plotësuar dhe dorëzuar një kartelë të arritjes/zbritjes në aeroplan, autobus ose tren, nuk kanë nevojë të lajmërohen sërish pas hyrjes. Secili që shkel këto detyrime, duhet të llogaris me gjoba të larta. Testet brenda 72 orëve pas hyrjes janë falas”, vazhdon komunikata.

Njoftimi i ambasadës ka përfunduar duke udhëzuar shtetasin kosovarë në disa vegëza ku mund të marrin informacione më të hollësishme rreth qëndrimit në Gjermani.

Informata më të hollësishme rreth izolimit/karantinës dhe detyrimit për testim, si dhe përjashtimeve gjeni në uebfaqen e ambasadës në:

https://pristina.diplo.de/xk-de/service/-/2371260 (në gjuhën gjermane)
https://pristina.diplo.de/xk-sq/service/-/2372584 (në gjuhën shqipe).
https://pristina.diplo.de/xk-sr/service/-/2376100 (në gjuhën serbe).