Ambasada gjermane deklarohet për moslejimin e mediave në kampin e Prizrenit

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë e ka arsyetuar moslejimin e mediave brenda kampit në Prizren, dikur bazë e KFOR-it gjerman, ku janë strehuar qindra qytetarë të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri.

Ambasada në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se mbulimi medial brenda kampit nuk lejohet për arsye të privatësisë dhe traumave që kanë kaluar njerëzit si pasojë e tërmetit.

“ ITP Prizreni u ofrohet si strehë e përkohshme nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Ambasadën gjermane dhe GIZ për personat e prekur nga tërmeti në Shqipëri. Për respektim të privatësisë dhe përvojave traumatike që njerëzit kanë kaluar, nuk është paraparë asnjë mbulim mediatik”, thuhet në përgjigjen e tyre.

KALLXO.com sot ka raportuar se gazetarëve nuk po u lejohet hyrja brenda kampit.

Askush nga publiku nuk e ka parë deri më sot se në çfarë kushte janë duke qëndruar të strehuarit në këtë kamp, pasi mediat nuk janë duke u lejuar brenda.

Ambasada Gjermane më tej ka theksuar se në një përpjekje të përbashkët, komuna e Prizrenit, Qeveria e Kosovës, GIZ si dhe organizatat shumëpalëshe dhe OJQ-të lokale janë duke u kujdesur për nevojat e personave të akomoduar në kamp, siç janë ushqimi, kujdesi shëndetësor bazë dhe mbështetja psikologjike.

Ndërkaq, Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në një përgjigje për KALLXO.com sot ka thënë se kanë vendosur që komunikimi me media të bëhet në çdo kohë, por vendi ku janë të strehuarit të qëndrojë i qetë.

“Fillimisht ne kemi qene të angazhuar në ofrimin e çdo ndihme të nevojshme dhe në konsultim edhe me të strehuarit, pas përjetimeve që kishin, kemi vendosur që komunikimi me media të behet në çdo kohë, por koha dhe vendi ku qëndrojnë ata të jete i qetë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Qeveria e Kosovës tutje thekson se ka aktivizuar të gjitha mekanizmat e nevojshëm për t’u dalë në ndihmë për strehim dhe kujdes të gjithë personave që kanë ardhur në Kosovë pas tërmetit me pasoja tragjike në Shqipëri.

Nga tërmeti tragjik në Shqipëri kanë vdekur 52 persona, pas rrënimit të ndërtesave të banimit në Thumanë e Durrës, përderisa shumë banorë janë shpërngulur në Kosovë.

Gazetarëve nuk u lejohet hyrja në kampin e të strehuarve nga Shqipëria në Prizren

www.kallxo.com