Ambasada franceze mirëpret vendimin e Kurtit: Nuk është koha për manovrim politik

Ambasada e Francës në Kosovë, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë Kurti për heqjen e tarifës ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina.

Sipas tyre, ky është një parakusht i rëndësishëm për rifillimin e normalizimit të dialogut me Serbinë.

“Detyra tani është që të rindërtojë gradualisht besimin në mënyrë që negociatat e udhëhequra nga BE të fillojnë së shpejti. Ankesat ekzistuese, për sa i përket barrierave tregtare jo-tarifore, për shembull, duhet të zgjidhen në kornizën e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilën BE ndërmjetëson”, thuhet në postimin e ambasadës franceze në Facebook.

“Të gjitha vendet, përfshirë Serbinë dhe Kosovën, po përballen me sfida të mëdha përballë virusit të ri COVID-19. Nuk është koha për manovrim politik. Të dy qeveritë duhet përkushtohen në tejkalimin e krizës shëndetësore. Bashkëpunimi rajonal ka një rëndësi të lartë në këtë kontekst”, vijon njoftimi.

Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti në mesnatë ka bërë të ditur se kanë marrë vendimin për heqjen e tarifës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, duke e zëvendësuar me reciprocitet ndaj Serbisë.