Ambasada e Zvicrës kundër rrëzimit të qeverisë në kohën e pandemisë COVID-19

Ambasada e Zvicrës në Prishtinë u ka bërë thirrje anëtarëve të koalicionit VV-LDK që t’i kapërcejnë mosmarrëveshjet e brendshme dhe që të ndërtojnë besimin për të vazhduar bashkëqeverisjen.

Ambasada zvicerane përmes një komunikate për media kanë deklaruar se dënojnë të gjitha përpjekjet për ta përdorur pandeminë për ta rrëzuar qeverinë.

Gjithashtu, mes tjerash u kanë bërë thirrje të gjithë akterëve politikë që të ndihmojnë në lehtësimin e situatës.

“Sot bota gjendet në kontrollin e virusit corona. Situata në Republikën e Kosovës është serioze gjithashtu. Si në shumë vende, qeveria ka ndërmarrë masa drastike për të ulur ndjeshëm përhapjen e virusit dhe për të kursyer jetëra. Zvicra lavdëron vendosmërinë dhe kompetencat e demonstruara nga qeveria deri më tani. Siç po kërkohet në tërë botën, udhëheqësit duhet të tregojnë unitet tani ashtu që t’i mbrojnë njerëzit në mënyrë efektive”, thuhet në njoftimin e ambasadës zvicerane.

“Zvicra u bën thirrje anëtarëve të koalicionit në fuqi t’i kapërcejnë mosmarrëveshjet e brendshme dhe ndërtojnë besimin, në mënyrë që të vazhdojnë me zbatimin e planit të qeverisë dhe të jetësojnë atë për të cilën janë zgjedhur: sundimin e ligjit, reformën në arsim dhe shëndetësi dhe një ekonomi më të fortë”, vazhdon njoftimi.

KALLXO.com ka raportuar sot se përmes një deklarate të përbashkët, ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, kanë reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke kërkuar të sigurohet integriteti dhe funksionaliteti i qeverisë dhe institucioneve të vendit.

Nesër pritet që të mbahet seanca e Kuvendit për rrëzimin e qeverisë Kurti e iniciuar nga LDK-ja.

Në anën tjetër deri më tani 61 raste me coronavirus janë konfirmuar në Kosovë.

Konfirmohen edhe 26 raste pozitive me coronavirus, numri shkon në 61