Kompleksi Memorial në Reçak - Foto: Atdhe Mulla

Ambasada e Zvicrës dhe Fondi për të Drejtën Humanitare dënojnë deklaratën e Vuçiqit për Masakrën e Reçakut

Ambasada e Zvicrës në Kosovë dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë  kanë reaguar ndaj deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili e ka mohuar masakrën e Reçakut në kohën e luftës në Kosovë.

Vuçiq ditë më parë ka deklaruar se “masakra e Reçakut është një trillim dhe është sajuar nga William Walker.

Ndërkaq, Ambasada zvicerane dhe “HLC Kosovo” i kanë dënuar deklarimet e presidentit serb.

“Në shoqëritë pas konfliktit është thelbësore pajtimi me të kaluarën. Një pjesë e rëndësishme e saj është njohja e viktimave dhe dënimi i krimeve të kryera. Vendosja e fakteve dhe zbulimi i së vërtetës për ngjarjet e kaluara janë parakusht për një pajtim kuptimplotë dhe të qëndrueshëm. Çdo deklaratë mbi ngjarjet e konfliktit duhet të bazohet në fakte dhe të tregojë respekt për viktimat dhe familjet e tyre”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, në janar 1999 në fshatin Reçak u kryen mizori masive ndaj shqiptarëve, shumica e të cilëve ishin civilë të paarmatosur.

“Revizionizmi dhe mohimi i krimeve të luftës duhet të përballet, veçanërisht kur bëhet fjalë për përfaqësuesit e institucioneve shtetërore. Ambasada e Zvicrës në Kosovë dhe Qendra e Ligjit Humanitar në Kosovë (HLC Kosova) mbështesin dënimet e forta dhe të qarta të deklaratës së Presidentit Vuçiq duke mohuar mizoritë në Reçak”, thuhet mes tjerash në reagim.

Deklarata e presidentit serb Vuçiq ka ngjallur reagime të ashpra në Kosovë.

Deklarata për masakrën e Reçakut, Vuçiq mund të përballet me Prokurorinë Speciale të Kosovës