Logo; Ambasada e SHBA-së në Kosovë

Apeli i Ambasadës së ShBA-së drejtuar liderëve rajonalë: Lini anash dallimet politike, përqendrohuni te qytetarët!

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka bërë thirrje që në kohën e pandemisë së coronavirusit vendet t’i lënë anash dallimet politike dhe të bashkohen për nevojat e qytetarëve.

“Ne i bëjmë thirrje të gjithë liderëve lokalë dhe ata në rajon që t’i lënë mënjanë dallimet politike dhe të përqendrohen në nevojat e qytetarëve të tyre. Të punosh së bashku dhe të mbështesësh njëri-tjetrin është përgjigjja ndaj kësaj sfide”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Sipas Ambasadës viruset nuk njohin kufij prandaj edhe duhet një bashkim i të gjitha forcave për t’i shëruar të sëmurët.

“Tani nuk është koha për të lejuar që dallimet politike vendore dhe rajonale të mos lejojnë që t’i ndihmojmë njëri-tjetrin në këtë kohë të nevojës kolektive. Siç edhe ka thënë Presidenti Trump rishtazi: “Të gjithë ne jemi në këtë së bashku. Ne duhet ta lëmë politikën mënjanë, ta ndërpresim mendje-ngushtësinë dhe të bashkohemi gjithë së bashku si një komb dhe një familje. E ardhmja jonë mbetet më e ndritshme sesa mund të imagjinohet. Duke vepruar me dhembshuri dhe dashuri, ne do të shërojmë të sëmurët, do të kujdesemi për ata në nevojë, do t’i ndihmojmë bashkëqytetarët tanë dhe do të dalim nga kjo sfidë më të fortë dhe më të unifikuar se kurrë më parë”, thuhet në njoftim.

Deri më tani të gjitha vendet e rajonit përveç Malit të Zi janë prekur nga pandemia e coronavirusit. Aktualisht në Kosovë janë 15 raste.