Flamuri amerikan - Foto: REL/Shutterstock

Ambasada e ShBA-së: Pozicioni amerikan kundër taksës 100 për qind nuk ka ndryshuar

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka deklaruar se nuk ka ndryshuar pozicioni i tyre kundër taksës 100 për qind të vendosur nga Kosova ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Ambasada amerikane në një përgjigje për KALLXO.com ka përmendur edhe kërkesën e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

“Pozicioni amerikan për tarifën 100% të Kosovës nuk ka ndryshuar. Siç tha së fundmi, i dërguari special i presidentit Trump, Richard Grenell, tarifat duhet të bien dhe fushata e Serbisë për mosnjohje duhet të ndalet”, thuhet në përgjigjen e tyre.

KALLXO.com ditë më parë i ka dërguar pyetje Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë, për të marrë qëndrimin e tyre se si e shohin paralajmërimin e kryeministrit Albin Kurti që taksa të zëvendësohet me reciprocitet.

Në të njëjtën kërkesë, KALLXO.com e ka pyetur Ambasadën amerikane edhe për deklaratat e ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, i cili gjatë një vizite në ShBA javën e kaluar ka thënë se nga atje i është krijuar përshtypje se Kurti u ka thënë amerikanëve se ai do ta heqë taksën por vetëm “të ndalet Haradinaj”.

Por Ambasada nuk ka dhënë qëndrim lidhur me këto çështje, përveç përgjigjes së lartshënuar.

Së fundmi, Haradinaj i ka kërkuar Kurtit që të mos e heqë taksën ndaj Serbisë.

Ndërkaq, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, tha se është kundër masave të reciprocitetit, që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka paralajmëruar kundër Serbisë.

Zëdhënësi i tij, Dick Custin, tha për Radion Evropa e Lirë se Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, pa reciprocitet.

Kosova i ka vënë taksë doganore 100 për qind mallrave serbe dhe boshnjake në nëntor të vitit 2018.