Ambasada e ShBA-së-politikanëve: Jetët e njerëzve të vendosen në rend të parë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, përmes një deklarate ka ftuar për bashkëpunim në skenën politike kosovare duke shmangur kështu retorikën e politizuar.

Në këtë deklaratë thuhet se SHBA-të kanë inkurajuar dhe vazhdojnë të mbështesin bashkëpunimin rajonal në mbështetje të mirëqenies së qytetarëve – përfshirë këtu luftën kundër pandemisë COVID-19.

“Ne i ftojmë të gjitha palët që të shmangin retorikën e politizuar dhe të bashkohen rreth zgjidhjeve praktike për të lehtësuar lirinë e lëvizjes së furnizimeve mjekësore dhe mundësohet personelit t’i monitoroj komunitetet e prekura. Le t’i vendosim jetët e njerëzve në rend të pare”, thuhet në këtë reagim.

Deklarata e Ambasadës, vjen në kohën kur mes krerëve institucional të vendit ka pasur akuza të ndryshme sa i përket situatës me COVID-19 dhe jo vetëm.

Ndërkohë, partitë politike në Kosovë janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për mandatimin lidhur me formimin e qeverisë së re, apo shkuarjen në zgjedhje pas pandemisë.