Ambasada e SHBA-së për helmimet në Deçan: Injoroni thashethemet, prisni për fakte

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë është deklaruar lidhur me helmimet në Deçan.

Përmes një njoftimi ambasada u ka bërë thirrje gazetarëve dhe qytetarëve që të injorojnë thashethemet dhe të presin për fakte.

“Mendimet tona janë me personat që po vuajnë në Deçan si pasojë e gjendjes shëndetësore emergjente. Edhe pse pritet të kryhen teste të tjera, Ministria e Shëndetësisë beson se ndonjë bakterie mund të  jetë shkak i simptomave. Gazetarë, qytetarë-injoroni thashethemet, prisni për fakte”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Që nga fundjava e kaluar, banorët e Komunës së Deçanit kanë shfaqur simptoma të helmimit, si: marramendje, të vjella, diarre etj ku edhe sot janë duke kërkuar trajtim në QKMF-në e këtij qyteti.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se ka nisur testimin e mostrave të ujit, të marra nga kjo komunë, por shkaku i helmimit nuk është përcaktuar ende.

Më 13 korrik, autoritetet lokale kanë shpallur gjendje emergjente në Deçan, për shkak të helmimit masiv të banorëve të kësaj komune.