Ambasada e ShBA-së: Kemi dërguar ftesë te zyra e Kryeministrit dhe Presidentes

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka konfirmuar për KALLXO.com se u ka bërë ftesë të dy zyrave, asaj të Kryeministrit dhe Presidentes, për takimin e 31 janarit ku pritet të diskutohet për çështjen Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Një zëdhënës i ambasadës amerikane tha se në këtë diskutim pjesëmarrjen e kanë konfirmuar anëtarët e stafit të dy zyrave duke shtuar se kanë ftuar grupe të ndryshme liderësh të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë politikë e diplomatë.

“Ne po ftojmë një grup të ndryshëm liderësh të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë politikë dhe diplomatë për të diskutuar këtë temë të rëndësishme. Ambasadori Hovenier ka prezantuar këtë takim me Kryeministrin dhe Presidenten dhe u bëri ftesa të dy zyrave të tyre.  Anëtarët e stafit të të dy zyrave kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre” – thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikanë në Prishtinë.

Ky diskutim është organizuar me qëllim për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

“Qëllimi ynë është të avancojmë mirëkuptimin e ndërsjellë për angazhimin e AKS-së, në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.  Ne po e organizojmë këtë diskutim në përputhje me qëllimin tonë të qëndrueshëm për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike dhe si reflektim i miqësisë sonë të gjatë dhe mbështetjes për popullin e Kosovës”- është shprehur një zëdhënës i Ambasadës.

Ambasada amerikane në Kosovë, ka konfirmuar një takim të thirrur për të martën më 31 janar, me përfaqësues qeveritarë, liderë politikë e të shoqërisë civile për të diskutuar në lidhje me Asociacionin.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë ritheksuar edhe njëherë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një vështrim për Koha.net, ata kanë thënë se zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj.

“Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (BH); Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që ta ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve”- kanë thënë ata.

Ata kanë elaboruar se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë një Asociacion i komunave serbe.

Themelimi i Asociacionit është permendur në propozimin e fundit evropian, një plan disa-pikësh i ofruar nga zyrtarët amerikanë e evropianë për Kosovën dhe Serbinë, ndonëse i njëjti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se e respekton konfidencialitetin e bisedimeve, ndërsa për asociacionin ka shtuar se ka insistim të ndryshëm ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjes. Sipas tij marrëveshja për asociacionin, sipas draftit fillestar nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.