Takimi është paralajmëruar se do të mbahet në ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, ku pritet të jenë të ftuar një numër i konsiderueshëm edhe nga shoqëria civile.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka konfirmuar për KALLXO.com se u ka bërë ftesë të dy zyrave, asaj të Kryeministrit dhe Presidentes, për takimin e 31 janarit ku pritet të diskutohet për çështjen Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë ritheksuar edhe njëherë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (BH); Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që ta ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve”- kanë thënë ata.
Ata kanë elaboruar se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë një Asociacion i komunave serbe.
Themelimi i Asociacionit është permendur në propozimin e fundit evropian, një plan disa-pikësh i ofruar nga zyrtarët amerikanë e evropianë për Kosovën dhe Serbinë, ndonëse i njëjti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.