Ambasada e SHBA-së feston virtualisht 4 korrikun, falënderon Kosovën për bashkëpunimin

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës ka njoftar se këtë vit feston 244 vjetorin e Ditës së Pavarësisë së kombit me temën “Ne jemi me ju”, duke i falënderuar qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj të cilat bashkëpunojnë me ne dhe përpiqen ta bëjnë Kosovën një vend ku paqja, drejtësia dhe mirëqenia mbizotërojnë.

Përderisa COVID-19 vazhdon të ndikojë në botë, sipas ambasadës, pritja e tyre tradicionale është zëvendësuar për t’u shënuar në mënyrë virtuale për shkak të masave të sigurisë personale dhe për ta mbajtur distance sociale.

“Ndërkohë, vazhdoni të mbani maska ​në publik, lani duart dhe mbani distancën sociale. Siç kemi parë, kjo pandemi nuk ka mbaruar dhe vetëm ne si individ kemi fuqinë për ta ndaluar përhapjen për familjet dhe komunitetet tona”, thuhet në komunikatë.

Në njoftim tutje thuhet se demokracia pret që liderët dhe institucionet t’i dëgjojnë në mënyrë aktive qytetarët e tyre dhe që zëri i qytetarëve të dëgjohet – siç bëjnë sot qytetarët në Shtetet e Bashkuara dhe në Kosovë.

“Shtetet e Bashkuara dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë e të qëndrueshme që shkon disa breza prapa. Si miq e partnerë, kemi qëndruar së bashku gjatë momenteve më të këqija dhe i jemi përgjigjur njëri-tjetrit kur kemi pasur nevojë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Jemi këtu me ju, sot dhe në të ardhmen. Gëzuar Ditën e Pavarësisë Amerikë dhe faleminderit Kosovë!”, vijon komunikata.

Ndërkaq, në fjalimin e tij, ambasadori amerikan në Kosovë Philip S. Kosnett ka thënë se në vitin 1776, Shtetet e Bashkuara ishin në një udhëtim drejt pavarësisë.

“Themeluesit tanë nuk kërkuan vetëm lirinë nga një mbret i huaj. Ata u përpoqën ta ndërtojnë një lloj të ri të shoqërisë – një republikë që njohu se jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë ishin të drejta të qarta njerëzore.Më shumë se dy shekuj në rrugëtimin e Amerikës për të kuptuar që vizioni është i papërfunduar”, është shprehur ai.

Sipas tij, amerikanët kanë përjetuar kohë gëzimi e përparimi, por edhe të dhimbjes e regresit.

“Në vitet 1860, qindra mijëra amerikanë, të bardhë e të zi, vdiqën në një luftë tragjike civile për t’ua sjellë lirinë miliona amerikanëve të tjerë të skllavëruar”.

E që sipas tij, javëve të fundit kemi parë që rrugëtimi i gjatë i Amerikës vazhdon, pasi amerikanët po luftojnë përsëri kundër racizmit dhe padrejtësisë.

“Në Amerikë, si në çdo vend, demokracia nuk është sport për spektatorë. Demokracia kërkon angazhim dhe këmbëngulje aktive të qytetarëve. Gjithashtu kërkon ndershmëri dhe këmbëngulje për t’i adresuar dobësitë tona dhe për të mësuar nga dështimet tona. Kjo është një kohë trazirash dhe ankthi në Amerikë – por gjithashtu edhe kohë shprese. Shpresoj që një ndryshim i pakthyeshëm, pozitiv mund të ndodhë me një popullsi të angazhuar. E njëjta gjë mund të thuhet për Kosovën”, ka thënë ambasadori.

Kosnett ka shtuar se populli i Shteteve të Bashkuara dhe populli i Kosovës ndajnë shumë vlera dhe atribute.

“Popujt tanë janë të fortë e të zgjuar, kreativë e shpirtmirë, të shkathët e elastikë. Si miq dhe partnerë, i jemi përgjigjur njëri-tjetrit kur kemi pasur nevojë. Qëndruam bashkë për ta bërë Kosovën të pavarur, pas sulmeve të 11 shtatorit, në luftën kundër terrorizmit global. Dhe tani qëndrojmë së bashku përballë një pandemie globale”, është shprehur ai.

 

Ambasadori ka shtuar se sfidat e fundit e kanë treguar kreativitetin dhe aftësinë ripërtëritëse të popullit të Kosovës.

“Ka shumë më tepër për të bërë, edhe nga qytetarët e rëndomtë, për ta sjellë pandeminë nën kontroll. Por kam besim se me këmbëngulje, punë të zellshme dhe bashkëpunim përtej kufijve, do të triumfojmë ndaj virusit, siç kemi triumfuar ndaj armiqve të tjerë”, ka thënë mes tjerash ai.

Kurse, Lulzim Raka, profesor i Mjekësisë dhe Mikrobiologjisë dhe Kontrollit të Infeksioneve në Universitetin e Prishtinës, me rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë së SHBA-së ka thënë se populli i Kosovës do t’u jetë gjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara për rolin e tyre në kultivimin e idealeve që burojnë nga Deklarata e Pavarësisë e 4 Korrikut 1776.

“Përvoja e Shteteve të Bashkuara ofron një udhëzues të shkëlqyeshëm për ëndrrat, liritë, demokracinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Liria është gjithashtu histori e rezistencës. Dhe ndërsa njerëzit e Kosovës kanë lëvizur nga rezistenca e tyre ndaj tiranisë në pavarësi e liri, ne vazhdojmë të kërkojmë drejtësi e punë, shëndetësi, arsim e shkencë, art e culture”, ka thënë Raka.

Ai ka shtuar se gjatë këtij viti, bota e mbylli pandeminë COVID-19 me një virus vdekjeprurës që po e kërcënon njerëzimin.

“Njerëzit tanë gjithashtu janë përballur me këtë sfidë të vështirë me burime të kufizuara. Por miqtë janë bashkë në ditë të vështira. E njëjta gjë ndodhi edhe kësaj radhe kur miqtë tanë amerikanë ndihmuan popullin tonë duke e mbështetur sistemin e kujdesit shëndetësor të Kosovës. Ju falënderojmë për këtë mbështetje thelbësore”, është shprehur mikrobiologu kosovar.

Raka ka shtuar se sot, më 4 korrik, çdo kosovar është amerikan.

“Amerikë, sot në flamurin Tënd ke një yll më shumë – atë të Kosovës!”.

“Rruga jonë drejt të ardhmes është e përbashkët dhe jemi të përkushtuar për t’i përmbushur idealet që dalin nga Deklarata e 4 Korrikut. Le ta ndjekim citatin e Presidentit John F. Kennedy, ‘Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi juaj për Ju. Pyetni çfarë mund të bëni Ju për vendin tuaj!’”, është shprehur ai.