Ambasada e ShBA-së: Është koha të zbatohen të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese
Ambasada e ShBA-së në Kosovë ka kërkuar që të zbatohen të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Kjo deklaratë erdhi pas vizitës së kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gresa Caka në ShBA.
“Institucionet e pavarura të drejtësisë së Kosovës janë kritike për demokracinë e saj. Është koha të zbatohen të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të plotësohen vendet vakante në Gjykatë”, thuhet në postimin e Ambasadës së ShBA-së në Facebook.
Gjatë kësaj vizite në ShBA, Caka është takuar me zv.ndihmës prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së dhe këshilltarin për çështje ndërkombëtare në Departamentin e Drejtësisë, Bruce C. Swartz.
Në këto takime palët shkëmbyen mendimet e tyre për mekanizmat më efektivë për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe rëndësinë e konsolidimit të sundimit të ligjit në çdo vend demokratik.
Gjatë vizitës në Uashington, Caka-Nimani u takua edhe me zyrtarë të lartë në Departamentin e Shtetit dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar si dhe me përfaqësues të ShBA-së në Komisionin e Venecias.