Ambasada e SHBA-së: Afganët që nuk do të kalojnë kontrollet e nevojshme, nuk do të lejohen të udhëtojnë në SHBA

Ditë më parë disa media amerikane raportuan se disa afganë të strehuar në Kosovë nuk do u lejohet  hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas raportimit të Axios, Administrata e Biden po përgatitet të njoftojë disa afganë që janë duke pritur në bazën e ushtrisë amerikane në Kosovë se do t’u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Ky vendim sipas këtij raportimi mund të prekë deri në 16 refugjatë në kampin Bondsteel në Kosovë. Sipas tyre, kjo është hera e parë që Administrata Biden ka refuzuar afganët që janë strehuar në Kosovë për verifikim shtesë përpara se t’u lejohet hyrja në SHBA.

Tutje, mediumi Axios thotë se një përcaktim i tillë rrjedh nga shqetësimet e sigurisë, ose identifikimi i lidhjeve të mundshme me talebanët apo organizatat terroriste.

Lidhur me këtë raportim, një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, për BIRN ka bërë të ditur se janë të njoftuar me raportimin e medias Axios, por nuk mund të komentojnë për raste specifike për shkaqe të sigurisë.

Sipas tij, për afganët që janë ende në Kampin Bondsteel, një ekip i koordinuar i qeverisë amerikane po punon në verifikimin e tyre, proces ky që kërkon kohë dhe përfshinë shumë agjenci qeveritare.

“Për afganët që janë përkohësisht në Kampin Liya në Bondsteel, një ekip i koordinuar i qeverisë së SHBA-së  po punon intensivisht për të verifikuar dhe kontrolluar këta afganë në mënyrë që të përcaktojë përshtatshmërinë e tyre për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara në përputhje me ligjet dhe politikat e SHBA-së. Shqyrtimi dhe verifikimi është gjithëpërfshirës, kërkon kohë dhe përfshinë shumë agjenci qeveritare”, thuhet në përgjigje.

Afganët që nuk do të kalojnë kontrollet e nevojshme, nuk do të lejohen të udhëtojnë në SHBA, derisa qeveria amerikane do punojë me ata individë për të gjetur zgjidhje alternative, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së.

“Afganët që nuk do të kalojnë kontrollet e nevojshme gjithëpërfshirëse të sigurisë nuk do të lejohen të udhëtojnë më tej në Shtetet e Bashkuara. Në këto raste, Shtetet e Bashkuara do të punojnë me ata individë për të gjetur zgjidhje alternative, të qëndrueshme bazuar në preferencat e tyre, familjen, punësimin dhe lidhjet e tjera”, ka thënë një zëdhënës i ambasadës për BIRN.

Për zgjidhjet alternative nga Ambasada e SHBA-së kanë thënë se do të ketë koordinim brenda partnerëve ndërkombëtarë për vendet ku do rivendosen këta afganë.

“Ky proces përfshinë koordinimin brenda partnerëve ndërkombëtarë dhe aleatëve për të identifikuar vendet që dëshirojnë të rivendosin këta afganë, ose, kur një afgan dëshiron të kthehet vullnetarisht në Afganistan, duke u përpjekur t’i ndihmojë ata me këto marrëveshje. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara nuk do të lehtësojnë riatdhesimin e asnjë afgani në Afganistan nëse ata nuk dëshirojnë të kthehen atje”, thuhet më tej në përgjigjen e ambasadës për BIRN.

Në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë theksohet se afganët në Kampin Bondsteel nuk paraqesin ndonjë rrezik për popullin e Kosovës dhe se do vazhdojnë të njoftojnë Qeverinë e Kosovës në lidhje me statusin e afganëve që i nënshtrohen kontrolleve gjithëpërfshirëse.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të koordinojnë ngushtë dhe të njoftojnë Qeverinë e Kosovës në lidhje me statusin e afganëve që i nënshtrohen kontrolleve gjithëpërfshirëse të sigurisë dhe kërkesave mjekësore në Kampin Liya. Së bashku me partnerët tanë të Qeverisë së Kosovës, ne do të vazhdojmë të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për të garantuar sigurinë e afganëve të pritur në Kampin Liya në Bondsteel dhe nikoqirëve të tyre, popullit të Kosovës”, vazhdon më tutje përgjigja.

Deri tani nga Kosova janë larguar rreth 600 afganë të cilët janë zhvendosur në SHBA.

Një zyrtar brenda qeverisë amerikane i njohur me situatën ka thënë për BIRN se aktualisht janë 75 afganë në kampin Bondsteel në Kosovë.

“Aktualisht janë rreth 75 afganë të pritur përkohësisht në Kampin Liya në Bondsteel. Shumica e tyre janë bashkëshortë ose fëmijë të individëve që i nënshtrohen verifikimit shtesë dhe kontrollit të sigurisë. Afganët do vazhdojnë të nisen nga Kosova për në Shtetet e Bashkuara pasi të jenë pastruar nga proceset e shqyrtimit dhe verifikimit dhe të kenë marrë certifikatat e nevojshme mjekësore dhe imunizimet”, thotë ky zyrtar.

Shtetet e Bashkuara janë thellësisht mirënjohëse për Kosovën dhe rolin e saj bujar në pritjen e përkohshme të afganëve.

Qindra afganë u strehuan në Kosovë pas gushtit të vitit 2021, kur militantët talebanë morën pushtetin në Kabul.

Kosova po i mban përkohësisht derisa të kalojnë procesin e verifikimit për riatdhesim në vendet e treta.

Afganët në Kosovë raportohet se kanë qenë kryesisht bashkëpunëtorë të SHBA-së dhe NATO-s gjatë pranisë së tyre në Afganistan nga viti 2001 deri në vitin 2021.